Tokio, 14 mars 2011, NOA – Pas goditjeve të forta të tërmetit apokaliptik të së premtes në Japoni, por edhe lëkundjeve të sotme sizmike me magnitudë 6.2 ballë të shkallës Rihter bëhet edhe më kritike situata në centralin bërthamor të Fukushimas. Japonezët jetojnë me frikën e shpërthimit bërthamor duke parandier një shpërthim të ngjashëm me atë vrastar të Çernobilit, që tronditi botën në 26 prillin e vitit 1986 në Moskë.
Tri ditë pas tërmetit shkatërrimtar, në Japoni luftohet për të shmangur një Çernobil të dytë, që në ditët e sotme do të shkaktonte një katastrofë humanitare jashtë të imagjinueshmes.
Mësohet se vetëm në njërin prej reaktorëve të centralit bërthamor të Fukushimas mund të ketë nisur procesi i shkrirjes.
Situatën e rëndoi edhe më tej një lëkundje e fortë tërmeti prej 6.2 ballë, i paralajmëruar se do të godiste edhe kryeqytetin e Japonisë, Tokion.
Japonia i ka kërkuar ndihmë SHBA-ve për të kontribuar në procesin e ftohjes në centralet bërthamore të dëmtuara nga tërmeti.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i agjencisë japoneze për sigurinë bërthamore Yukiya Amano i ka kërkuar agjencisë ndërkombëtare të energjisë bërthamore dërgimin e një skuadre ekspertësh për shpërthimet nukleare.
Deri më tani bilanci zyrtar i viktimave të tërmetit dhe cunamit ka mbërritur në 5 mijë të vdekur, një numër që pritet të rritet deri në 10 mijë persona.
Tërmeti apokaliptik në planin ekonomik solli mbylljen e bursës së Tokios me një humbje prej 6.18 përqind.
Është ndalur gjithashtu prodhimi në impiantet më të mëdha të prodhimit të makinave në vend.
mit/NOA