English

Arvizu: Vitet më të rëndësishëm i kemi përpara

Tiranë, 15 mars 2011, NOA – Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu deklaroi sot marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shumë të mira. Me një thirrje shumë kuptimplotë “Rroftë miqësia shqiptaro-amerikane”, ambasadori amerikan shprehu krenarinë e tij për arritjet e mira gjatë këtij bashkëpunimi dypalësh.

Duke përshëndetur në ceremoninë kushtuar 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, ambasadori amerikan Alexandër Arvizu, u shpreh se “Jam shumë krenar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për atë që kemi arritur. Ndihem i sigurt për vitet më të rëndësishme, të cilët i kemi përpara nesh”.

Por, kryediplomati amerikan në Tiranë nuk ka lënë pa kujtuar edhe një përvjetor tjetër në këtë 15 mars, trevjetorin e tragjedisë së Gërdecit.

Ambasadori Arvizu kërkoi të bëhet drejtësi për viktimat e kësaj tragjedie.

“Të mbajmë një minutë heshtje dhe të lutemi sot për 26 viktimat e tragjedisë së Gërdecit, dhe të shpresojmë se do të shohim drejtësi”, tha ambasadori amerikan.

Ambasadori Arvizu ritheksoi edhe njëherë mbështetjen e SHBA-ve duke rikujtuar se SHBA-të kanë luajtur një rol kyç në konsolidimin e shtetit ligjor.

Në këtë kontekst ambasadori amerikan solli në vëmendje festën e Ditës së Verës, e cila sikundër tha ai duket se riktheu edhe gjendjen e qetësisë dhe të qytetarisë në bulevardin kryesor të Tiranës, që gati një muaj më parë u bë arena e vrasjes së katër demonstruesve dhe akteve të dhunës ndaj policisë.

“Kjo është një javë e rëndësishme. Dje ishte Dita e Verës, dhe unë e kuptova sesi ishte kjo ditë kur dola dje në Bulevard. Është e rëndësishme që të hedhim vështrimin prapa për të parë për të ardhmen”, apeloi Arvizu.

Gjatë ceremonisë për kremtimin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të merrin pjesë Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto.

mit/NOA

KOMENTE