English

Basha: Sot përplaset filozofia e paqes kundër dhunës

Tiranë, 15 mars, NOA – Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha tha përplasja mes filozofisë së paqes dhe filozofisë së dhunës janë në rend të ditës në vend. Deklarata e ministrit u bë sot në ceremoninë e organizuar në Ministrinë e Brendshme për 50 vjetorin krijimit të Korpusit të Paqes.

“Për shekuj me radhë Shqipëria ka qenë një shesh historik luftërash. Paqja dhe lufta janë përplasur me njëra tjetrën pambarim dhe kjo ka lënë gjurmët e veta në trupin dhe historinë e kombit tonë. Fatkeqësisht edhe sot filozofia e paqes kundër filozofisë së Dhunës në këtë vend është në rend të ditës”, tha Basha.

Ministri Basha falënderoi kontributin që jep Korpusi i Paqes në administratën vendore dhe përcjelljen e kulturës amerikane në vendimmarrje.

“Komunitetet e njësive të Qeverisjes Vendore ku ju punoni, kanë qenë të privilegjuara për një periudhë kohe pasi ju keni qenë pjesë e tyre dhe keni mësuar traditën, kulturën e zakonet tona të cilën e transmetoni në vendin tuaj në përfundim të mandatit tuaj fisnik si vullnetarë të Korpusit të Paqes”, tha Basha.

Ai shtoi se ky kontribut i Korpusit të Paqes, gjatë 20 viteve ka sjellë përmirësim i imazhit të pushtetit vendor.

“Prej 20 vitesh 295 vullnetare kanë përzgjedhur Shqipërinë. Dhe sot 18 prej jush jeni këtu. Ju punoni në bashkitë dhe komunat tona dhe e dini se sa i rëndësishëm është pushteti vendor për qytetaret. Se si përmirësohet jeta e njerëzve nëpërmjet shërbimit ndaj tyre. Eksperienca juaj në fushat e planifikimit urban, financës, mjedisit, zhvillimin ekonomik të turizmit, menaxhimit të informacionit, përfshirjen e komunitetit në vendimmarrje, gjuhës angleze etj., kanë ndikuar në rritjen e performancës së njësive vendore”, tha Basha.

a.k/NOA

KOMENTE