English

Berisha-ambasadorit Arvizu: Në 8 maj ndryshimet si nata me ditën

Tiranë, 15 mars 2011, NOA- (Update) Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë ceremonisë së 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve e diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, garantoi ambasadorin e SHBA-ve për ecurinë e vendit edhe në procesin më të afërt zgjedhor.

Gjatë fjalës së tij bëri një pasqyrë dhe tregoi një kujtim nga zgjedhjet e para post ‘90: “Unë dua t’ju garantoj se Shqipëria mbetet e vendosur të bëj gjithçka për promovimin, konsolidimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve në këtë vend. Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve. 20 vjet më parë unë, politikan jo më shumë se 3 muaj, u ula përballë Sekretarit amerikan të Shtetit në detyrë, i cili më pyeti se çfarë po bënim për këto zgjedhje. Përgjigja ime ishte një surprizë e madhe për të, i thash se “as vetë nuk e dimë se çfarë po bëjmë”. Pse? – më pyeti ai. Unë i thashë, - sepse ne dimë për zgjedhjet vetëm atë që kemi parë në televizionin italian një herë në katër vjet, kur italianët zhvillonin zgjedhjet”.

Më tej Kryeministri Berisha iu drejtua ambasadorit Arvizu, duke i thënë se, më 8 maj shqiptarët shkojnë në zgjedhje me një nga infrastrukturat zgjedhore më moderne, me lista elektronike zgjedhësish, me dokumente identifikimi elektronik, me sistem numërimi ndër më të saktit, me një kuadër ligjor plotësisht demokratik dhe të hartuar me ndihmën e institucioneve më serioze ndërkombëtare, me një angazhim të OSBE-së, të qeverive mike dhe të qeverisë tuaj për të vëzhguar me seriozitetin më të madh këto zgjedhje.

Sipas kreut të qeverisë gjithë kjo ecuri sjell një përmirësim kolosal që ndryshimi është si nata me ditën.

Në vijim të fjalës së tij ai shprehu bindjen se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë një të ardhme të shkëlqyer.

a.y/NOA

KOMENTE