English

Berisha: Shqiptarët të bekuar, kishin mbështetjen e Amerikës

Tiranë, 15 mars 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha e cilësoi 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve si një ditë të mirënjohjes së shqiptarëve për popullin dhe qeverinë amerikane. Kryeministri Berisha deklaroi gjatë ceremonisë në kuadër të kësaj dite se shqiptarët ishin të bekuar pasi kanë patur gjithnjë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shefi i qeverisë theksoi se SHBA-të kanë një rol të rëndësishëm që në krye të formimit të shtetit shqiptar, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryeministri Berisha risolli në vëmendje ndihmën e SHBA-ve gjatë tërë etapave të konsolidimit të shtetit shqiptar.

Ai rikujtoi se edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët luftuan në një koalicion botëror me fuqitë e mëdha, porse idealet e tyre u tradhtuan më shumë se kudo në botë, tha kryeministri, duke nënvizuar se “ishte pikërisht kjo tradhti e klikës komuniste që erdhi në pushtet që bëri të mbylleshin marrëdhëniet me SHBA-të”.

Por, në këtë kontekst duke kujtuar izolimin e pangjarë të Shqipërisë gjatë viteve të diktaturës komuniste gati 50-vjeçare, shefi i ekzekutivit shprehu mirënjohjen ndaj ish-Presidentit amerikan Harri Truman, i cili në një akt miqësor dhe respekti ndaj shqiptarëve angazhoi një sërë përfaqësuesish për të ndërhyrë në rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Duke iu rikthyer vitit të parë post-diktaturës komuniste kryeministri Berisha kujtoi se asohere, 20 vjet më parë “qeveria amerikane e shndërroi radion ‘Zëri i Amerikës’ në radion e një kushtrimi të madh, apeli dhe inkurajimi për shqiptarët, për të realizuar ëndrrat e tyre për demokraci dhe liri”, tha zoti Berisha.

“Ky ishte një inkurajim i madh për lëvizjet demokratike në Shqipëri”, vijoi duke thënë kryeministri.

Ai theksoi se pas lëvizjeve të para demokratike ishin përfaqësuesit e SHBA-ve që i dhanë mbështetje të jashtëzakonshme popullit dhe opozitës shqiptare.

Në këtë kontekst duke shprehur miqësinë e shqiptarëve me amerikanët, Berisha risolli në vëmendje pritjen që shqiptarët i bënë Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, i cili u prit në vitin 1991 nga qindra mijë qytetarë në sheshin qendror të Tiranës.

Kryeministri Berisha e cilësoi këtë pritje si më më masiven dhe më populloren e parë ndonjëherë në botë.

Deklaratat e Bejkerit do të bëheshin profetike për shqiptarët.

Po kështu kryeministri Berisha theksoi se mbështetja e SHBA-ve ka qenë tejet e madhe edhe për krijimin e shtetit të ri të Kosovës.

Këtu Berisha rikujtoi vizitën e ish-presidentit amerikan Xhorxh W.Bush, i cili në 10 qershorin e vitit 2007 dha mbështetjen e tij për Kosovën, e cila vetëm disa muaj më vonë u shpall e pavarur në 17 shkurt të vitit 2008.

Ai e cilësoi ish Presidentin Bush si një burrë të madh dhe një mik të shqiptarëve. “Ishin kongresmenët amerikanë ata që i dhanë mbështetjen më të madhe shqiptarëve të Kosovës, duke e vendosur në axhendën e tyre ndërkombëtare çështjen e lirive të shqiptarëve të Kosovës”, tha Berisha.

Ai theksoi se SHBA-të e kanë mbështetur fuqimisht Shqipërinë edhe për anëtarësimin në NATO.

Kryeministri Berisha theksoi se e ardhmja e marrëdhënieve miqësore dhe strategjike me SHBA-të do të jetë e ndritur.

mit/NOA

KOMENTE