Tiranë, 15 mars 2011, NOA- Në kuadër të 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme u zhvillua një aktivitet përkujtimor.
Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto vuri në dukje se mirënjohja e shqiptarëve për SHBA-të, është e lidhur me ngjarjet më të rëndësishme të historisë.
Sipas tij, ndjenja e mirënjohjes mbeti e gjallë edhe pas më shumë se gjysmë shekulli ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike, për tu forcuar dhe konsoliduar më shumë se kurrë në momentet më të rëndësishme të historisë moderne të shqiptarëve; në vendosjen e sistemit demokratik; në reformat e gjithanshme për konsolidimin e tij; në dhënien fund të gjenocidit mbi shqiptarët e Kosovës dhe në pavarësinë e saj; në 11 shtator 2001; në anëtarësimin e Shqipërisë n NATO dhe sot, në mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Ndërkaq rreth 100 vjet me parë mbështetja që Presidenti Uillson i dha të drejtë, kërkesës për vetëvendosje të shqiptarëve si përcaktuese për të ardhmen e shtetit të ri shqiptar.
Në takim ishin të pranishëm Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, Ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, Ambasadorë dhe pjesëtarë të trupit diplomatik akredituar në Tiranë, ish Ministrat e Punëve të Jashtme në vite, studiues të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare etj.
Gjatë aktivitetit, në hollin e Ministrisë u organizua edhe hapja e ekspozitës së piktorit Ismail Bërdaku me portretet e 44 presidentëve të SHBA, të pikturuara në mënyrë origjinale nga artisti.
a.y/NOA