English

Ekstradohen nga Kosova dy të dënuar për vrasje dhe trafikim

Prishtinë, 15 mars, NOA – Zyra e Interpolit në Tiranë, ka mundur që të kryejë ekstradimin nga Kosova drejt vendit tonë, nëpërmjet pikës së Morinës, të dy shqiptarëve të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe trafikim.

Siç konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA, i pari i ndaluar mësohet se është Gerald Mitre, 28 vjeç, lindur në Kolonjë.

Ai është dënuar nga gjykata e Durrësit, me 14 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, parashikuar nga nenet 76 dhe 49, të Kodit Penal.

Kjo pasi ky person 5 vjet më parë në Londër të Anglisë, ka vrarë duke e goditur me thikë, britanikun Aaron Stokes, për motive të dobëta.

Ndërsa personi i dytë i ekstraduar është Isat Metaliaj, 49 vjeç, lindur në Tropojë, i dënuar nga Gjykata për Krime të Rënda, me 15 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të femrave për prostitucion”, parashikuar nga neni 114/b, i Kodit Penal.

Kjo pasi ai në bashkëpunim me një tjetër person, kanë trafikuar për qëllime prostitucioni në Kosovë, vajzën me inicialet E.M., kundrejt shumës prej 300 eurosh.

n.e/NOA

KOMENTE