English

Haxhinasto: Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, të bazuara në vlerat universale të paqes

Tiranë, 15 mars 2011, NOA- Zëvendëskryeministrit dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto gjatë ceremonisë së 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë përshëndeti bashkëpunimin dypalësh.

Gjatë fjalës së tij ministri i Jashtëm tha se, “Sot mbushen 20 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis SHBA aleat dhe partner strategjik i Shqipërisë.

Kam kënaqësinë që në këtë përvjetor jubilar, Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Qendrën për Studime Shqiptaro-Amerikane ka ekspozuar në mjediset e saj portretet e 44 presidentëve të SHBA, punime origjinale të piktorit Ismail Bërdaku, i cili i ka punuar këto portrete më shumë me zemrën e tij sesa me duar”.

Duke vijuar me detajet e kësaj ceremonie Haxhinasto prezantoi edhe stendat e ekspozuara si dhe disa thënie mbi Shqipërinë nga personalitete të shquara amerikane të cilat reflektojnë realitetin e miqësisë dhe që sipas tij, shpalosin vizionet e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve Shqipëri-ShBA.

Më tej ai tha se, pas shpalljes së pavarësisë në 1912, afro 100 vjet më parë, mbështetja e presidentit Amerikan Uillson, njeriut që mbrojti të drejtën e vetëvendosjes së popujve, ishte përcaktuese për të ardhmen e shtetit të ri shqiptar.

Ai shprehu mirënjohjen e popullit shqiptar për këtë miqësi duke thënë se ajo është përforcuar në vite duke u konsoliduar në momentet më të rëndësishme të historisë moderne të shqiptarëve, në vendosjen e sistemit demokratik, në reformat e gjithanshme për konsolidimin e tij, në dhënien fund të genocidit të shqiptarëve të Kosovës dhe pavarësinë e saj, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe, sot, me mbështetjen e plotë të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Sipas tij, “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA janë të bazuara fort në vlerat universale të paqes, në parimet e reciprocitetit, në respektin e përbashkët, në trashëgiminë unike historike të tyre , por mbi të gjitha në vizionin e përbashkët për një botë më të mirë, më të paqtë më të zhvilluar për çdo komb dhe individ”.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto përshëndeti dhe uroi edhe përvjetorin tjetër, atë të ditëlindjes Ambasadorit Arvizu.

Këtij urimi ju bashkuan edhe të pranishmit e tjerë, që nga Kryeministri Berisha, Kryeparlamentarja Topalli dhe përfaqësia e ambasadorëve.

a.y/NOA

KOMENTE