English

Japonezët – Durim dhe maturi e admirueshme në përballimin e situatës

Tokio, 15 mars, NOA - Mentaliteti tajfun – Reagimi i matur i shoqërisë japoneze në ditët e katastrofës gjen jehonë edhe në mediat gjermane.

Gazeta "Berliner Morgenpost" e titullon komentin e saj mbi reagimin e japonezëve ndaj katastrofës natyrore: 'Mentaliteti tajfun':

"Kanë kaluar gjashtëdhjetë e gjashtë vjet qëkurse kajzeri Hirohito iu lut nënshtetasve të vet 'që të durojnë atë që është e padurueshme dhe të përballojnë atë që është e papërballueshme'. Hirohito (1901-1989) kishte parasysh me këtë "dhimbjen e kapitullimit", edhe luftën e tij të tmerrshme të ndërhyrjes, ai sërish e mbrojti me përpjekjen 'për të siguruar ruajtjen e vetvetes së Japonisë'.

Kur tani kryeministri japonez Naoto Kan i bën thirrje popullit të tij 'krizën më të rëndë të pasluftës' ta përballojnë me arsye dhe të bashkuar, kjo është si një jehonë e fjalëve të Hiroitos. Japonisë i duhet herë pas here të durojë të padurueshmen.

E kjo ka të bëjë me një qëndrim, që duket sa i huaj aq edhe për t'u admiruar.

Ditët e javët e ardhshme do të flitet e do të shkruhet shumë lidhur me këtë qëndrim, të cilin ish-ambasadori i SHBA-së Edwin Reischauer e ka vlerësuar si 'mentaliteti i tufanit'. Ky koncept është një metaforë për pranimin e fatit, ose së paku në dukje një qëndrim i qetë. E vërteta në të është, se qysh sa është regjistruar në kujtesën njerëzore ndjenja e japoneze e jetës karakterizohet prej kërcënimit nga vullkanet, tufanet, rrëshqitjet e tokës e cunamët.

Asgjë nuk është e sigurt në këtë arkipelag. Ndërtesa më e shenjtë e Shintoizmit çdo 20 vjet shembet dhe rindërtohet, si përulje kundrejt të qenit përkohësisht të gjithçkaje mbi Tokë", komenton Berliner Morgenpost.

Focus Online boton një intervistë me historianin nga Hajdelbergu Thomas Büttner, i cili shpjegon se si është krijuar 'mentaliteti tajfun': "Japonezët janë në brendësi shumë më të trazuar nga sa duken së jashtmi. Ata janë të shqetësuar dhe kanë frikë. Por ata kanë këtë qëndrim: reagimet në panik s'të ndihmojnë aspak dhe nuk e ndryshojnë aspak gjendjen. Ndaj ata përpiqen që sa më shumë të jetë e mundur të ruajnë pamjen e qetësisë. (...) Ndonëse pas të gjitha katastrofave disa janë deprimuar, gjithmonë ka pasur optimizëm dhe vështrim përpara: Japonia gjithmonë është ringjallur. (...) Gjatë këtyre ditëve shpesh bëhet fjalë për një mentalitet tjetër, por japonezët janë njerëz ashtu si ne, me reagimet e zakonshme.

Në Japoni vërtet luan rol të ambjentuarit dhe stërvitja. Ata duan të përpiqen të tregojnë forcë. Struktura e shoqërisë u ka mësuar atyre të tregojnë disiplinë: Kush ka qenë ndonjëherë në Tokio, është befasuar se si njerëzit mbajnë radhën në metro dhe presin një herë që të zbresin të tjerët", thekson historiani Büttner për Focus Online.

Në intervistë për kanalin e parë televiziv ARD drejtorja ekzekutive e Shoqatës Gjermano-Japoneze në Dyseldorf, Pia-Tomoko Meid, pyetjes se si e shpjegon reagimin kaq të matur të japonezëve në një situatë tronditjeje, i përgjigjet: "Është një përzierje: Nga njëra anë japonezët janë në përgjithësi të tërhequr sa i përket shfaqjes së emocioneve. Si të thuash ata nuk duan që ta rëndojnë tjetrin me ndjenjat e tyre. Kjo shpjegon edhe pse shumë prej atyre që intervistohen, gjithmonë qeshin tek thonë: 'e tmerrshme, shtëpia ime është zhdukur'. Kjo ka të bëjë me atë, që folësi nuk ka dëshirë të përçojë tek tjetri ndjenjën e keqe. Por natyrisht që kjo është edhe një gjendje shoku. Eshtë shumë e vështirë që nga ajo çfarë përjeton dhe sheh të kalosh në një pozicion të tillë: Të ruash qetësinë dhe të mos dallosh nga grupi."

Natyra është më e fortë - nën këtë titull komenton zhvillimet në Japoni gazeta"Westdeutsche Allgemeine Zeitung": "Ata janë stërvitur për rastin më ekstrem, i kanë ndërtuar shtëpitë të sigurta ndaj tërmeteve e po kështu edhe centralet atomike. E megjithatë superfuqisë së pasur botërore Japonisë, një vend, që në aspektin e kredibilitetit sa i përket teknikës mund të konkurrojë me Gjermaninë, i duhet tani të kapitullojë përballë forcave të natyrës. Se sa të vdekur ndodhen nëpër rrënoja, nëse do t' i dilet të shmanget katastrofa bërthamore, nëse dhe si në sfondin e shkatërrimeve të jashtëzakonshme do të mund të garantohet siguria dhe furnizimi për popullsinë në një vend me dendësi të lartë, është mëse e pasigurtë. Deri tani një gjë është e qartë: Do të zgjasë shumë, derisa në Japoni të rikthehet normaliteti."

Deutsche Welle

KOMENTE