English

Klinton: PD-PS të drejtojnë me llogaridhënie

Uashington, 15 Mars 2011 NOA/ Ervin Tirana – “Shqiptarët duhet të punojnë së bashku për t’u siguruar që vendi të ecë përpara dhe që ritmi të ruhet. Nxisim udhëheqësinë politike të Shqipërisë, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, që të udhëheqin nëpërmjet llogaridhënies dhe transparencës, dhe të respektojnë dhe të forcojnë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut”.

Mesazhin apel e lëshoi sot, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, me rastin e 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Llogaridhënia dhe transparenca, sipas zonjës Klinton, janë mënyra më e mirë për të demonstruar përkushtimin e tyre ndaj ndërtimit të së ardhmes së sigurt dhe të begatë që populli shqiptar do dhe meriton.

Ndaj zonja Klinton në mesazhin e saj thotë edhe: “I uroj popullit të Shqipërisë më të mirat teksa vazhdojmë të punojmë së bashku, edhe përtej njëzetë viteve të ardhshme”.

Në emër të Presidentit Obama dhe popullit amerikan, Klinton thotë në mesazh se i sjellin urimet më të mira popullit të Shqipërisë teksa dy popujt tanë shënojnë njëzetë vjet të marrëdhënieve të rivendosura diplomatike më 15 mars.

Kurse kujton faktin se pas një ndërprerjeje prej 52 vitesh, viti 1991 ishte vërtet një fillim i ri – jo vetëm për marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për zhvillimin e Shqipërisë si një vend demokratik dhe një partner ndërkombëtar.

Për sekretaren e Shtetit, kjo ditë përkujton partneritetin tonë, na kujton përparimin e bërë dhe nënvizon premtimin e së ardhmes së Shqipërisë, sidomos ndërkohë që ju ndërmerrni hapat e nevojshëm për të arritur synimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Klinton thekson se edhe gjatë viteve më të errëta të Luftës së Ftohtë, shqiptarët dhe amerikanët nuk i harruan lidhjet e forta të miqësisë mes dy vendeve tona dhe shton:

“Dhe pas vitit 1991, Shtetet e Bashkuara e mbështetën Shqipërinë teksa ajo filloi rrugën e integrimit në bashkësinë euro-atlantike. Tani Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka treguar një përkushtim të thellë ndaj Aleancës, me një prej kontributeve më të mëdha për frymë në Forcën Ndërkombëtare të Ndihmës për Sigurinë (ISAF) në Afganistan. Përkushtimi i Shqipërisë ndaj stabilitetit në rajonin e saj është demonstruar nëpërmjet mbështetjes së saj për shtetin e ri të Kosovës dhe kontributeve për pajtim në Ballkanin Perëndimor”.

Në këtë kuadër, zonja Klinton siguron se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ndërsa kujton faktin se “ne mirëpritëm vendimin në fund të vitit 2010 për të lejuar shqiptarët të udhëtojnë pa viza kudo në Bashkimin Europian”, - duke konstatuar se “tashmë shqiptarët kanë arritur shumë, por më shumë punë mbetet në rrugën drejt BE-së – dhe ky vit do të jetë me rëndësi kyçe”.

Kurse thekson në këtë pikë apelin se “shqiptarët duhet të punojnë së bashku për t’u siguruar që vendi të ecë përpara dhe që ritmi të ruhet”.

e.t/NOA

KOMENTE