Në çfarë bisedimesh është futur Kosova me Serbinë
Valon Murati
Ne jemi futur në bisedime “teknike” me Serbinë, ndërsa Kosova ka pasur nevojë të futet në bisedime të pastra politike me të.
Ne jemi futur në bisedime “praktike” me Serbinë, përderisa të gjitha marrëveshjet praktike e kanë të vështirë të zgjidhen pa marrëveshje politike.
Ne jemi futur në bisedime “tekniko-praktike” me Serbinë, të cilat në të vërtetë do të kenë efekte politike që do t’i ndiejmë vetëm më vonë.
Ne jemi futur në bisedime “tekniko-praktike” me Serbinë, të cilat bisedime 6-pikëshin e Ban Ki Munit po na e shndërrojnë në 20 e më shumë pikësh të Kuperit.
Ne kemi pasur nevojë të bisedojmë me Serbinë për çështjet madhore të cilat kanë mbetur pezull në mes të dy vendeve dhe popujve: për Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Zveçanin, në njërën anë, dhe për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, në anën tjetër. Me zgjidhjen e këtyre problemeve politike, problemet teknike dhe praktike do të zgjidheshin lehtë.
Ne jemi futur në bisedime “teknike” me Serbinë për hatër dhe për interes të BE-së, pa ia bërë të qartë BE-së se ne si Kosovë kemi nevojë të bisedojmë me Serbinë, por jo për interes të BE-së, por para së gjithash për interes tonin.
Ne jemi futur në bisedime me Serbinë pa asnjë konsensus politik në vend, duke e injoruar rolin e Kuvendit, pa platformë të qartë politike dhe, ashtu siç po del që në ditët e para, të papërgatitur edhe profesionalisht së paku, për çështjet “teknike dhe praktike” që do të bisedohen.
Ne jemi futur në bisedime me Serbinë edhe pse opozita, (e cila kësaj radhe ishte e fuqishme së paku numerikisht dhe e cila përfaqëson në këtë rast edhe shumicën shqiptare) ishte kundër rezolutës të propozuar nga partia në pushtet që e autorizon qeverinë për bisedimet.
Ne jemi futur në bisedime me Serbinë duke pasur objektiv kryesor t’i kënaqim interesat e miqve ndërkombëtarë (e në rrugë e sipër mos po na e hedhin ata si shpërblim një copë ashti në fund të këtyre bisedimeve), e jo zgjidhjen e kontestit shekullor shqiptaro-serb që do t’i rehatonte qytetarët e të dyja vendeve.
Ne jemi futur në bisedime “teknike dhe praktike” me shpresën se tërë procesin prapë do ta udhëheqin miqtë ndërkombëtarë, si atë në Rambuje, ashtu edhe në atë në Vjenë.
Ne jemi futur në bisedime duke harruar se, qofshin ato edhe teknike e praktike, se ne si shtet duhet të jemi më të përgatitur, e të mos presim që t’i kemi të gatshme në tavolinë nga miqtë ndërkombëtarë të gjitha zgjidhjet si dikur Planin e Ahtisarit, Kushtetutën e Kosovës, dhe dhjetëra e qindra ligje të hartuara nga ta.
Ne jemi futur në bisedime me Serbinë, për çështje “teknike dhe praktike”, që mund të rezultojnë jo me një marrëveshje që do të ratifikohej në Kuvend, por me një varg marrëveshjesh të vogla “teknike”, të cilat “nuk do të kenë nevojë të futen fare” në procedurën parlamentare, d.m.th. do ta bishtnojnë atë.
Ne jemi futur në bisedime, në të cilat ato marrëveshje të “vogla” “teknike dhe praktike” mund ta jetësojnë pa emër, pa marrëveshje dhe pa vendim një autonomi për veriun e Kosovës dhe e cila do ta përmbante edhe veriun e qytetit të Mitrovicës, nga ku janë dëbuar mbi 12.000 shqiptarë. Kjo lloj autonomie pa emër do të mund të caktonte nesër një kufi të ri në mes të Kosovës dhe Serbisë - dhe atë mbi lumin Ibër, duke e ndarë në dysh qytetin e Mitrovicës.
Ne jemi futur në bisedime “teknike dhe praktike”, pa kërkuar që ato marrëveshje të vogla teknike dhe praktike që arrihen për veriun e Kosovës, të zbatohen edhe për Preshevën, Buanocin e Medvegjën.
Ne jemi futur në bisedime duke e injoruar Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, të cilat nën shtypjen e egër serbe nesër-pasnesër do të mund të rrezikoheshin të humbeshin krejtësisht si vendbanime shqiptare. Deri dje, kur kishim nevojë për to, Presheva, Bujanoci e Medvegja ishin krah i Kosovës; sot nga garniturat udhëheqëse po konsiderohen barrë e saj.
Ne jemi futur në bisedime duke pasur një pozitë, e cila ndonëse nuk është e fuqishme me numra, po vazhdon të sillet indiferente ndaj nevojës për konsensus politik, dhe një opozitë, e cila më shumë se për interesat e vendit po mendon për përfitimet e veta partiake, nga dështimet dhe gabimet e pozitës.
Ne po hyjmë në një cikël bisedimesh, të cilat mund edhe të dështojnë, edhe të jenë të “suksesshme”, por të cilat domosdo do të prodhojnë tensione të mëdha brenda shoqërisë, me rreziqe shpërthimi.
Mënyra sesi jemi futur në këto bisedime “teknike dhe praktike” me Serbinë dëshmon për papjekurinë e demokracisë sonë si shoqëri, si dhe mungesën e vizionit sesi duhet të zgjidhen problemet themelore të këtij vendi.