Tiranë, 15 mars, NOA – Operatori i Sistemit të Transmetimit, (OST) njofton se si pasojë e remonteve edhe dëmtimeve të disa linjave kryesore të energjisë, nesër dhe pasnesër do të ketë ndërprerje të energjisë në zonën e Vlorës dhe në rrethinat e Durrësit.
Ndërprerja e energjisë në Vlorë do të bëhet zonën e Ujit të Ftohtë. Sipas OST-së kjo ndërprerje do të bëhet për shkak të dëmtimit “të dy vargjeve të grilandeve në linjën 110 kV "Babicë" - "Vlora" nr.2”.
Sipas kompanisë është e nevojshme që të kryhet zëvendësimi i këtyre linjave. Punimet do të kryhen nesër dhe kufizimet do të jenë të pjesshme, nga ora 09:00 deri në 12:00.
Po nesër nga ora 09:00 deri në orën 15:00 do të ketë ndërprerje energjie në Shijak, Sukth dhe Xhafzotaj.
“Duke iu referuar planit vjetor të remonteve, në datat 16-17 mars 2011, ora 09.00-15.00 OST- Njësia Operative Tiranë do kryejë remontin e linjës 110 kV, Rrashbull - Sukth. Për këtë arsye do të ketë kufizime të pjesshme të energjisë elektrike, në zonat Shijak, Sukth dhe Xhafzotaj”, njofton OST-ja.
a.k/NOA