Prishtinë, 15 Mars 2011 NOA - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në takim admiralin Samuel J. Locklear, komandant i Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli, i cili shoqërohej nga komandanti i trupave të KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler.
Pacolli ka shprehur kërkesën që pjesëtarët e FSK-së të jenë pjesë e misioneve paqësore në botë, në kuadër të NATO-s, kudo ku kjo shihet e nevojshme, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Në një deklaratë bërë pas takimit, Presidenti Pacolli theksoi se nga admirali Samuel J. Locklear ka marrë “çdo garanci që NATO do të jetë pjesë e halleve të qytetarëve të Kosovës, NATO do të ndihmojë Forcat e Sigurisë së Kosovës, që të përgatisin ato dhe në të ardhmen të rrugëtojmë bashkë me to”. “Nga ana ime shpreha gatishmërinë e bashkëpunimit pa limite me NATO-në, e sidomos me KFOR-in këtu në Kosovë, shpreha falënderimet e popullit të Kosovës dhe të miat personale për këtë çka KFOR-i është duke bërë për Kosovën në drejtim të përgatitjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës për të rrugëtuar së bashku në të ardhmen në shtëpinë e madhe të NATO-s”, tha ai. Presidenti Pacolli ka folur edhe për rolin e pranisë së trupave të KFOR-it në Kosovë, që është një prani shumë e rëndësishme dhe për të cilën qytetarët e Kosovës kanë një admirim dhe respekt të pakufishëm. Ai gjithashtu ka folur edhe reduktimin e trupave të KFOR-it, duke shtuar se krahas zvogëlimit të trupave është shtuar kualiteti i tyre i veprimit, ndërkohë që vetë zvogëlimi i këtyre trupave është shenjë e gjendjes stabile në vend, por edhe i rritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Komandanti i Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli, admirali Samuel J. Locklear, pasi ka uruar Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re, ka theksuar se gjatë gjashtë muajve të fundit ka qenë disa herë në Kosovë dhe ka vërejtur gjatë kësaj periudhe një varg ndryshimesh pozitive. “Kosova dhe NATO kanë bërë një rrugë të gjatë bashkë dhe do ta vazhdojnë këtë rrugëtim”, tha ai. Ndërsa, duke folur për zvogëlimin e trupave të KFOR-it, admirali Samuel J. Locklear tha se “ky zvogëlim nuk e zvogëlon rëndësinë e KFOR-it në Kosovë”. Ndërlidhur me Forcën e Sigurisë së Kosovës, admirali Locklear theksoi se në periudhën e ardhshme do të bëhet vlerësimi i përmbushjes së kapaciteteve të plota operative të kësaj force.
Nga ana tjetër Pacolli ka falënderuar admiralin Locklear për gjithë kontributin që NATO ka dhënë dhe po jep në vazhdimësi për popullin e Kosovës, me theks të veçantë në ndihmën e vazhdueshme për trajnimin dhe profesionalizimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK). Në këtë plan, ai ka kërkuar që eprorët e FSK-së të shkollohen në akademitë e ndryshme ushtarake të NATO-s.
a.b/NOA