English

Përplasja e dy filozofive

“Për shekuj me radhë Shqipëria ka qenë një shesh historik luftërash. Paqja dhe lufta janë përplasur me njëra tjetrën pambarim dhe kjo ka lënë gjurmët e veta në trupin dhe historinë e kombit tonë. Fatkeqësisht edhe sot Filozofia e Paqes kundër Filozofisë së Dhunës në këtë vend është në rend të ditës”...

Nga Lulzim Basha*

“Në këtë 50 vjetor të themelimit të Korpusit të Paqes dhe 20 vjetor të pranisë tuaj në Shqipëri, kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen sot në Ministrinë e Brendshme, në këtë bashkëbisedim me ju. Korpusi i Paqes lindi me misionin fisnik t’i shërbejë paqes botërore në një kohë të trazuar dhe të rrezikshme për të, nëpërmjet njohjes se njeri-tjetrit, dhe ndarjes së përvojave të përbashkëta .

Në fjalët e Themeluesi të Korpusit të Paqes, Presidentit Kenedi: Nëse nuk i shuajmë dot mosmarrëveshjet të paktën të ndihmojmë për një botë më të sigurt për të gjithë ne.

If we cannot now end our differences, at least we can help make the world safe for diversity.

Për shekuj me radhë Shqipëria ka qenë një shesh historik luftërash. Paqja dhe lufta janë përplasur me njëra tjetrën pambarim dhe kjo ka lënë gjurmët e veta në trupin dhe historinë e kombit tonë. Fatkeqësisht edhe sot Filozofia e Paqes kundër Filozofisë së Dhunës në këtë vend është në rend të ditës.

Paqja, pozitiviteti që ju sillni në qytetet tona ka qenë dhe është kurdoherë i mirëpritur. Ju jeni mishërimi i një misioni shumë të lartë që arrihet duke ju shërbyer njerëzve.

Dua t’ju falenderoj me këtë rast edhe ju ambasador Arvizu, që bash si një nga misionaret e korpusit të paqes keni sjellë brenda një kohë shumë të shkurtër paqe dhe kthjelltësi në Shqipëri.

Prej 20 vitesh 295 vullnetare kanë përzgjedhur Shqipërinë. Dhe sot 18 prej jush jeni këtu.

Ju punoni në bashkitë dhe komunat tona dhe e dini se sa i rëndësishëm është pushteti vendor për qytetarët. Se si përmirësohet jeta e njerëzve nëpërmjet shërbimit ndaj tyre.

Eksperienca juaj në fushat e planifikimit urban, financës, mjedisit, zhvillimin ekonomik të turizmit, menaxhimit të informacionit, përfshirjen e komunitetit në vendimmarrje, gjuhës angleze etj., kanë ndikuar në rritjen e performancës së njësive vendore.

Komunitetet e njësive të Qeverisjes Vendore ku ju punoni, kanë qenë të privilegjuara për një periudhë kohe pasi ju keni qenë pjesë e tyre dhe keni mësuar traditën, kulturën e zakonet tona të cilën e transmetoni në vendin tuaj në përfundim të mandatit tuaj fisnik si vullnetarë të Korpusit të Paqes.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet Agjencisë Amerikane të Zhvillimit USAID, ka asistuar në shumë projekte për fuqizimin e decentralizimit dhe të formimit të qeverisjes vendore me programet e saj në vite. Kjo ka qenë një ndihmesë shumë e çmuar për pushtetin vendor dhe është vlerësuar shumë nga ana jonë.

Duke ju falenderuar të gjithëve ju, dhe veçanërisht zotin Ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që ofroni për Ministrinë e Brendshme ju siguroj për mbështetjen tonë të pakursyer”.

*Fjala e Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha gjatë takimit me vullnetarët e Korpusit të Paqes, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.

KOMENTE