Zyrtarët në Japoni thanë se nivelet e radioaktivitetit në centralin bërthamor Fukushima janë më të larta pas shpërthimit të tretë në njërin reaktor dhe zjarrit në tjetrin.
Kryeministri Naoto Kan tha se radioaktiviteti rreth centralit në Fukushima është rritur dukshëm, ndërsa sekretari i kabinetit Jukio Edano tha se niveli është mjaft i lartë sa të rrezikojë jetët e njerëzve.
“Kishte shpërthime të hidrogjenit në reaktorin numër 1 dhe numër 3, dhe zjarr në reaktorin numër 4. Në këtë zonë ka radioaktivitet dhe niveli i tij është mjaft i lartë “, tha kryeministri Kan.
Ai u bëri thirrje njerëzve që jetojnë në një rreze prej 30 km nga kompleksi në veri të Tokios të mbeten në shtëpi, dhe paralajmëroi për rrjedhje radioaktive.
"Radioaktiviteti është shpërndarë nga këta reaktorë dhe nivelet e regjistruara duken shumë të larta. Ka rrezik që të dalë edhe më shumë material radioaktiv", tha Kan.
Sekretari i kabinetit Edano u apeloi njerëzve të përgatiten për pasojat e mundshme.
“Kuptohet se pasojat e mëtejme mund të ndikohen nga moti, por njerëzit në këtë zonë duhet të mos kenë kontakt me ajrin sa më shumë të jetë e mundur. Do të doja t’i ftoj njerëzit që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, tha Edano.
Sekretari i kabinetit paralajmëroi se njerëzit mund t’i ndjejnë pasojat për shëndetin e tyre.
“Nuk mund të jetë gabim se ky nivel i radioaktivitetit mund të ketë ndikim tek njerëzit”, tha Edano.
Zyrtarët thanë se 50 punonjës ende përpiqen të derdhin ujë në reaktorët për të zbritur temperaturën brenda tyre. Ata thanë se 800 të tjerë janë evakuuar.
Në centralin Fukushima kanë ndodhur gjithsejt katër shpërthime nga tërmeti dhe cunami i së premtes.
Në Tokio, 240 km më në jug, nivelet e radioaktiviteti u raportuan më të larta, kurse kompania ajrore kineze i anuloi fluturimet nga Pekini dhe Shangai për në kryeqytetin japonez.
Incidenti në Fukushima i ka alarmuar edhe zyrtarët në Evropë. Ministrat e energjisë, autoritetet bërthamore dhe zyrtarët e energjisë bërthamore do të takohen sot në Bruksel për t’i rishikuar masat e sigurisë.
Po sot, kancelarja Angela Merkel pritet ta shpallë zyrtarisht pezullimin tre mujor të operacioneve të zgjëruara bërthamore në 17 reaktorët bërthamorë të Gjermanisë.
Kriza bërthamore e goditi Japoninë, në kohën kur vendi ende nuk e ka marrë veten nga tërmeti dhe cunami.
Bilanci i konfirmuar i të vdekurve tash është mbi 2.700, por pritet të shkojë në 10 mijë, raporton radio Evropa e Lirë.
Miliona njerëz janë pa ujë, pa ngrohje apo pa ushqim të mjaftueshëm, ndërsa qindra mijë kanë mbetur pa strehë mbi kokë.
Sot, aksionet japoneze shënuan rënie prej 13 përqind, pas rënies së djeshme prej 7.6 përqind.