Këlcyrë, 15 mars, NOA – Një person është arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje, ndërsa i është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pistoletë e tipit “TT’ dhe tre gëzhoja.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur në Këlcyrë të Përmetit, dhe siç konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore, i ndaluari është 29-vjeçari Simon Allamani, lindur dhe banues në këtë qytet.
Konkretisht, një djalë me inicialet O.P, nga qyteti i Delvinës me automjetin e tij furgon me traga SR 50 20 B, ishte duke tregtuar detergjentë larës në qytetin e Këlcyrës dhe pasi i ka shitur ato, ka debatuar me një të dehur nga qyteti i Këlcyrës, pronar i një lokali për motive krejt banale.
Simon Allamani, që ishte në lokalin e këtij personi, ka ndërhyrë për t’i ndarë dhe pasi kanë debatuar me fjalë dhe sherri ka degjeneruar në grushta.
Më pas, Simon Allamani ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri të tipit pistoletë ‘TT’, dhe ka qëlluar me nga një plumb gomat e automjetit të personit nga Delvina.
Ngjarja është shuar pas ndërhyrjes së një punonjësi policie të Komisariatit te Policisë Përmet që ishte duke udhëtuar në drejtim të Përmetit, i cili pasi ka dëgjuar të shtënat ka ndaluar dhe ka ndërhyrë duke bërë të mundur parandalimin e ndonjë ngjarjeje më të rëndë.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, rezultoi se tre goma të furgonit SR 20 50 B, kishin nga një predhë pistolete ndërsa Simon Allamani , menjëherë është larguar nga vendngjarja duke përfituar nga rrëmuja e krijuar dhe ka mundur të fshehë pistoletën.
Në fund ai është kapur, duke iu sekuestruar edhe arma që e mbante pa leje.
Materialet iu kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “Shkatërrimit të Pronës me mjete të tjera” si dhe të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, vepra këto të parashikuara nga nenet 154 dhe 278 të Kodit Penal.
n.e/NOA