Stamboll, 15 mars 2011, NOA – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi sot nga Stambolli se Kosova është e gatshme të luajë rolin e vet në rajon e në botë duke zhvilluar ekonominë, duke përgatitur rininë e vet për tregun botëror të punës, duke përmirësuar klimën e investimeve dhe duke forcuar sundimin e ligjit. Kryeministri i Kosovës duke folur në Samitin Botëror të Liderëve të Ndryshimeve, që u mbajt në Stamboll të Turqisë, theksoi se Kosova është tashmë një faktor i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit në rajon, dhe bashkëpunimit rajonal për një fqinjësi të mirë drejt Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se Kosova luan rol të rëndësishëm në paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në këtë kontekst shefi i qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi rikujtoi se “ne kemi arritur që të hapim një kapitull të ri në shtetësinë tonë, dhe kemi filluar të diskutojmë me shtetin fqinj Serbinë, që të përmirësojmë jetën e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës”.
Duke iu referuar faktit se të gjitha shtetet fqinje e njohën shtetin e ri të Kosovës, përveç Serbisë, kryeministri i Kosovës risolli në vëmendje se ishte Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë që në 22 korrik të vitit të shkuar shpalli aktgjykimin që deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
“Shtetformimi i Kosovës është një histori suksesi në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, që nga shumë profesorë në universitete prestigjioze të botës përmendet si një rast studimi se si Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja u bënë bashkë dhe krijuan një partneritet që të ndalojnë luftën”, tha kryeministri Thaçi, duke i bërë thirrje vendeve të tjera që t’i vlerësojnë arritjet e Kosovës dhe të binden për ta njohur realitetin e ri të krijuar në Kosovë.
Kryeministri Thaçi theksoi se “Shpallja e Pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës paraqet një datë historike dhe një fazë të re për popullin e Kosovës”.
Sipas tij tre vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe të institucioneve të saj shtetërore, Kosova si shtet i pavarur dhe sovran, është njohur nga 75 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Thaçi bëri me dije se Kosova është njohur nga shtetet më të fuqishme të botës, duke përfshirë SHBA-të, pjesa më e madhe e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të NATO-s, Këshillit të Evropës etj.
“Kjo reflekton mbështetjen e madhe që shteti i ri i Kosovës gëzon në arenën ndërkombëtare, si dhe të drejtën legjitime dhe vullnetin e popullit të Kosovës për të krijuar një ambient ku mbizotëron demokracia dhe sundimi i ligjit”, argumentoi zoti Thaçi.