English

Topi: 8 Maji, të administrohet me korrektësi

Tiranë, 15 mars, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot nw njw takim drejtorin rajonal për Ballkanin Perëndimor në zyrën e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Daniel Fërn, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Kryetari i shtetit shqiptar vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe e të vazhdueshme që i është dhënë vendit dhe popullit tonë nga “një vend historikisht mik, aleat dhe një partner strategjik” për përparimin e proceseve integruese euro-atlantike.

Më pas, Topi bëri një përshkrim të zhvillimeve më të fundit në Shqipëri dhe të arritjeve në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe të pavarësisë së tyre si dhe të shtetit të së drejtës, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së suksesshme të zgjedhjeve të ardhshme vendore të 8 majit 2011, të cilat duhet të gëzojnë pjesëmarrje masive, të jenë të drejta e të ndershme dhe rezultatet e tyre të administrohen me korrektesë.

Duke e njohur Fërn me disa prej arritjeve të vendit tonë në rrugën e reformave integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kryetari i shtetit nënvizoi domosdoshmërinë se përmbushja e standardeve integruese është një detyrim për shtetin shqiptar në shërbim të interesave dhe aspiratave madhore të popullit shqiptar.

Në këtë pikë, Topi theksoi rolin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, sidomos duke pasur parasysh trevjetorin e tragjedisë së Gërdecit dhe zvarritjen e papranueshme të procesit gjyqësor të saj, në mënyrë që “qytetarëve shqiptarë t’u rikthehet plotësisht besimi tek drejtësia.” Fërn, e siguroi kreun e shtetit shqiptar mbi mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar dhe institucioneve të saj për konsolidimin e demokracisë shqiptare, për sistemin e drejtësisë dhe institucionet e pavarura kushtetuese. Gjatë takimit, të dy ndanë të njëjtën pikëpamje përsa i përket realitetit të ri dhe të qëndrueshëm në Ballkan, sidomos pas shpalljes së shtetit të pavarur, demokratik e shumë-etnik të Kosovës dhe rëndësisë së bashkëpunimit gjithëpërfshirës mes vendeve të rajonit, me synim integrimin e plotë në gjirin e familjes evropiane dhe strukturat euroatlantike.

n.e/NOA

KOMENTE