Tiranë, 16 mars 2011, NOA - 16 efektivë të strukturave të ndryshme të Policisë së Shtetit, do të marrin pjesë në sesionin e 80-të të trajnimit që zhvillohet në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit (ILEA) në Hungari. Ky trajnim mundësohet për policët shqiptarë nga Departamenti i Drejtësisë së Shtetit Amerikan nëpërmjet Programit ICITAP dhe do të zhvillohet nga data 21 Mars - deri 12 Maj 2011 në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.
Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për 16 efektivët e përzgjedhur Drejtori i Përgjithshëm Hysni Burgaj falenderoi qeverinë amerikane dhe misionin ICITAP për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Policisë së Shtetit, veçanërisht në fushën e trajnimeve.
Burgaj i kërkoi përkushtim maksimal gjatë trajnimit efektivëve të përzgjedhur, duke theksuar se dijet që do të merren gjatë këtij kursi të nivelit të lartë do të ndikojnë pozitivisht në luftën kundër krimit dhe në mënyrë të veçantë kundër krimit të organizuar. Ai i uroi suksese punonjësve të policisë dhe u apeloi atyre që të kontribuojnë pozitivisht për arritjen e rezultateve të organizatës së policisë.
Në këtë ceremoni ishte edhe shefi i Zyrës Rajonale të Sigurisë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Barry Hale, i cili evidentoi edhe rëndësinë e ndjekjes së programit të ILEA-s.
“ILEA është një ndër programet më të rëndësishme policore që ofron departamenti i Shtetit Amerikan. Bëhet fjalë për një bashkëpunim të shumë organizatave të zbatimit të ligjit nga e gjithë SHBA. Që prej fillimit të implementimit dhe zbatimit të programit ILEA në Shqipëri, e deri në ditët e sotme, më shumë se 100 oficerë të policisë shqiptare kanë pasur mundësinë të marrin pjesë në programin bazë të ILEA-s”, tha Hale.
mit/NOA