English

Basha: Tolerancë zero ndaj dogës në kryeqytet

Tiranë, 16 mars, NOA - Ministri i Brendshëm Lulzim Basha deklaroi sot se forcat e policisë do të luftojnë në maksimum për të ulur nivelin e konsumimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike në kryeqytet. Në Takimin Vjetor për Luftën Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike, Basha u shpreh se vëmendje e veçantë do t’u kushtohet ambienteve arsimore, duke rritur nivelin e kontrollit dhe duke vendosur kamera në shkolla.

“Nëse 2010-a shënoi përparime të jashtëzakonshme në luftën kundër trafikantëve dhe kultivuesve, 2011-a duhet të shënojë një intensifikim të plotë të luftës kundër shpërndarësve të drogës. 2011-a duhet të jetë viti i tolerancës zero për ata që u shpërndajnë këtë helm fëmijëve tanë”, tha sot Basha.

Ai u shpreh se lufta kundër drogës ka qenë një element i rëndësishëm që u mundësoi shqiptarëve të udhëtojnë me dinjitet në Bashkimin Europian.

Ai u shpreh se shkollat do të jenë ambientet më të kontrolluara. “Në veçanti për qytetin e Tiranës, si qyteti me numrin më të madh të shkollave, potencialisht me tregun më të madh për përdorimin dhe shpërndarjen e drogës, vëmendja e policisë duhet të jetë absolute dhe në veçanti për këtë qytet, pasi syve dhe veshëve të tyre në ndihmë u vjen sistemi më i sofistikuar i vëzhgimit pamor 24 orësh. Nuk do të ketë kamera në çdo cep të Tiranës, nuk do të ketë kamera në të gjithë Tiranën, por do të ketë kamera në çdo shkollë të Tiranës”, tha Basha.

Duke folur për vitin 2011 Basha u shpreh se duhen bërë përparime në këtë betejë. “Plani i masave duhet të përfshijë pra një komponent robust përsa i përket policisë së rendit, Patrullës së Përgjithshme, në qytetet tona me qëllim survejimin konstant, identifikimin dhe goditjen e çdo shpërndarësi të drogës në qytetet tona, në veçanti institucionet arsimore”, tha ai.

Basha u shpreh se çdo prind duhet të ndjejë se me praninë e Patrullës së Përgjithshme pranë tyre është i njëjti kujdes prindëror në çdo aspekt dhe në veçanti sa i përket aktit kriminal të shpërndarjes së drogës fëmijëve në shkollat dhe gjimnazet tona.

“Çdo shkollë e Tiranës do të survejohet me kamera dhe në këtë qytet sikundër në çdo qendër tjetër urbane të vendit, analiza e vitit që vjen, jam i bindur, do të tregojë goditjen me sukses të shpërndarësve të drogës si risia e suksesit të mëtejshëm të Shqipërisë në luftë kundër këtij fenomeni”, tha Basha.

a.k/NOA

KOMENTE