Prishtinë, 16 mars 2011 , NOA – Bashkimi Europian dhe autoritetet e larta të Kosovës janë shprehur të njëmendtë për vazhdimin e konsultimeve për finalizimin e axhendës dhe për mbarëvajtjen e procesit të dialogut teknik mes Kosovës e Serbisë.
Kjo u bë publike sot gjatë takimit në Prishtinë të udhëheqëses së delegacionit të Kosovës për dialog me Serbinë njëherësh zëvendëskryeministres Edita Tahiri, me Robert Cooper, këshilltar i lartë në kabinetin e kryediplomates Europiane, baroneshës Catherine Ashton.
Gjatë takimit u bisedua për ecurinë e procesit të dialogut për çështje praktike midis Kosovës dhe Serbisë dhe përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, i cili pritet të mbahet në javën e fundit të muajit mars.
Në raundin e parë të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit u diskutua për regjistrin civil e kadastrën, për çështje me rëndësi për të dy popujt si dhe mbi lëvizjen e lirë dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal.
mit/NOA