English

Bekkering: Topalli, politikania e suksesshme që s’harron të jetë grua

Tiranë, 16 mars 2011, NOA – Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha sot se në luftën kundër dhunës në familje Parlamenti ka luajtur një rol lider. Këtë rol sipas Topallit parlamenti e ka kryer duke zhvilluar seanca të hapura me deputetë dhe me gra të profesioneve të ndryshme, duke iniciuar fushata ndërgjegjësimi në çdo qytet e komunë si dhe duke miratuar një legjislacion me standarde evropiane në mbrojtje të të drjetave të gruas në shoqëri dhe për sigurimin e statusit që i takon.

Këtë vlerësim Kryetarja e Kuvendit e shprehu gjatë takimit me Michelle Bekkering, Drejtoreshë e Rrjetit Demokratik të grave të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) me qendër në Uashington.

Kryetarja e Kuvendit bëri me dije se është një fakt pozitiv, që në Shqipëri, gruaja zë përqindjen më të lartë në administratën publike, arsimin e lartë, biznesin privat dhe sektorë të ndryshëm.

“Ne gjithashtu, po punojmë intensivisht që gratë të kenë përfaqësim sa më të gjerë në zgjedhjet lokale të 8 Majit”, u shpreh zonja Topalli, duke nënvizuar rolin kyç që duhet të ketë pushteti lokal, në mbrojtje të të drejtave të grave.

Gjatë takimit kryeparlamentarja Topalli theksoi se IRI ka rol të rëndësishëm në proceset demokratike.

Zonja Bekkering u shpreh se kishte ardhur me shumë kënaqësi në Shqipëri për zbatimin e këtij projekti të IRI-t, i cili synon të inkurajojë aftësitë e grave në përfaqësim dhe vendimmarrje.

Ajo e përgëzoi Kryetaren e Kuvendit duke e cilësuar atë si zëri i grave shqiptare në politikë dhe për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Ne ju vlerësojmë si modelin e politikanes së suksesshme, por që nuk ka harruar të jetë një grua, që përkushtohet në çështjet më thelbësore të tyre, sikurse është shëndeti i gruas, dhuna në familje, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve etj. Mendoj se modeli që ju ofroni, i shërben vendit tuaj dhe duhet të promovohet edhe për rajonin”, vlerësoi Drejtoresha e IRI-t, Michelle Bekkering.

Ajo i bëri një ftesë të veçantë zonjës Topalli duke shprehur se do ta nderonte këtë rrjet të grave me pjesëmarrjen e saj në Këshillin e lidereve gra, në botë.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli siguroi Rrjetin demokratik të Grave se do të bashkëpunojë për çdo nisëm të tyre në mbështetje të grave shqiptare.

mit/NOA

KOMENTE