English

Delegacioni francez informohet për krizën politike në vend

Shkup, 16 Mars 2011 NOA/ Zulejha Ramadani - Kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani dje ka realizuar një takim me delegacionin francez të kryesuar nga Atasheu administrativ për çështje strategjike pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Francës, Renaud Dorlhiac.

Dorlhiac shprehu interesim të dijë qëndrimet e kreut të DR-së lidhur me zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, ndërsa theks të veçantë iu dha krizës politike dhe zgjedhjeve të parakohshme. Ai theksoi se Franca me kujdes të veçantë po përcjell situatën e krijuar pas braktisjes së Parlamentit nga ana e opozitës dhe porositi që përmes dialogut të mirëfilltë mes aktorëve kyç politik në vend të tejkalohet kriza politike.

Kreu i DR-së, Selmani informoi përfaqësuesin françez Dorlhiac se kriza politike në Maqedoni vjen si pasojë e bllokimit të procesit integrues të vendit në NATO dhe BE, përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare në vend përmes projekteve dhe vendimeve të shumta diskriminuese dhe monoetnike të Qeverisë aktuale VMRO-DPMNE dhe BDI, ngecjes në implementimin e plotë të MKO-së, mungesës së demokracisë parlamentare dhe dialogut thelbësor politik, ngulfatjes së mediave kritike ndaj Qeverisë dhe krizës së thellë ekonomike që ka kapluar vendin.

Në fund, Selmani theksoi se e vetmja mundësi për dalje nga kjo krizë e gjithanshme janë zgjedhjet e parakohshme, me kusht që ato të jenë të lira dhe demokratike.

Në këtë drejtim, Selmani informoi delegacionin francez edhe me propozimet e DR-së për revidimin e Kodit Zgjedhor, ku DR propozon tre njësi zgjedhore, lista të hapura zgjedhore, numërim të votave në nivel komunal dhe videomonitoring të procesit zgjedhor, si dhe hapje të vendvotimeve në çdo qytet në diasporë ku jetojnë 500-1000 votues, shtetas të Maqedonisë.

z.r/NOA

KOMENTE