English

Elisabeth Klatzer: Më shumë para për gratë, nga pushteti vendor

Tiranë, 16 Mars, NOA- Më shumë se 100 përfaqësues të pushtetit qendror dhe vendor, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, partnerë dhe donatorë u mblodhën në Tiranë për të diskutuar dhe ndarë praktikat më të mira se si pushteti vendor mund të adresojë më mirë të drejtat dhe nevojat e grave, burrave, djemve dhe vajzave.

Konferenca dy ditore e titulluar “Përkatësia Gjinore – Aktivitete Konkrete në Qeverisjen Vendore”, u organizua nga Ministria e Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me agjencinë e OKB-së për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave.

“Çështjet e barazisë gjinore qëndrojnë në thelb të qeverisjes së mirë. Për të rritur përgjegjshmërinë e pushtetit qendror dhe vendor ndaj të gjithë qytetarëve, duhet të angazhohemi në analiza, planifikim, buxhetin, shpërndarje shërbimesh dhe monitorim gjinor”, u shpreh ekspertja austriake mbi çështjet gjinore, Elisabeth Klatzer.

Ndërkaq, pjesëmarrësit ndanë shembuj të suksesshëm nga Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia, si edhe diskutuan për ndryshimet e nevojshme që duhen ndërmarrë në politika, buxhete dhe në burime njerëzore për të siguruar më shumë shërbime gjinore më cilësore.

Praktikat më të mira nga pushteti vendor treguan se politikat gjinore mund të jenë të zbatueshme dhe të suksesshme.

Për shembull, si rezultat i nismave të fundit mbi buxhetimin gjinor në Elbasan, pjesëmarrja aktive e grave në procesin e buxhetimit me pjesëmarrje është rritur me 40%. Rezultatet e prekshme të rritjes së pjesëmarrjes së grave lidhen me reflektimin më të mirë të nevojave dhe interesave të këtyre grave në buxhetin vendor.

n.e/NOA

KOMENTE