Tiranë, 16 Mars 2011 NOA - Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar, reagoi sot ndaj Raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave nr. 211) duke iu referuar një rekomandimi që FDBK thotë se është krejtësisht absurd dhe proserb.
Raporti (Nr. 211) i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i datës 14 mars 2011, i titulluar: "Veriu i Kosovës: Sovraniteti i dyfishtë në praktikë", i cili gjithashtu rekomandon që: "Prishtina e Beogradi do të duhej të përdorin bisedimet e lehtësuara nga BE për të marrë parasysh autonominë për Veriun, në shkëmbim për njohje të Serbisë të shtetit të Kosovës".
Për Kryesinë Qendrore të FDBK-së; Kryetari i FDBK, Gafurr Adili tha sot se ky rekomandim i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (GNK) është krejtësisht absurd dhe proserb, sepse Kosova as nuk do të duhej të hynte në asnjë lloj bisedimesh pa ndryshimin paraprak të Kushtetutës së Serbisë që Kosovën e konsideron pjesë integrale të saj, pa ndërprerjen e financimit për strukturat paralele në Veri të Kosovës.
Nga ana tjetër, dihet se Serbia ka kryer krime lufte në Kosovë, prandaj Kosova as nuk do të duhej të hynte në bisedime, meqenëse Serbia nuk kërkon falje për të gjithë këtë gjenocid të realizuar në 85 vjet kolonizim dhe sundim, për vrasjet, maltretimet, burgosjet, dëbimet dhe kidnapimet e shqiptarëve, ndër të cilët edhe shumë civilë të pambrojtur, pleq e plaka dhe nëna me foshnje djepi.
“Kosova assesi nuk do të duhej të hynte në negociata me Serbinë, nëse Beogradi nuk paguan dëmet e luftës dhe të kolonizimit, si dhe nëse Beogradi nuk ndërpret shtypjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe nuk lejon që kjo trevë etnike shqiptare t'i ribashkohet Kosovës prej nga ka qenë e copëtuar në vitin 1952 nga thundra e egër titiste”, - thotë Adili.
Sipas tij, shkuarja në bisedime me sy të verbër dhe të lidhur pa këto kushte themelore tregon vetëm se statusi i Kosovës gjithçka mund të jetë, por jo edhe statut i një republike të pavarur dhe sovrane.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK), si organizim që di të krijojë dhe edhe të prodhojë vetëm kriza, me "rekomandimin" e tij edhe një herë barazon xhelatin me viktimën (Serbinë agresore me viktimën Kosovë) dhe "rekomandon" që Kosova të prekë integritetin e saj territorial dhe të pranojë një "Republikë Srbska" në mes të trojeve të saj arbërore.
Për FDBK, kjo tregon karakterin e këtyre negociatave, ndarja de facto e Kosovës, e realizuar nëpërmjet enklavizimit, krijimit të komunave me shumicë serbe, "decentralizimit" dhe krijimit të "zonave të veçanta", të bëhet edhe de jure në këto bisedime që po zhvillohen midis Kosovës dhe Serbisë.
Adili thotë se përmes negociatave Serbia po tenton të përligj ambiciet e saj për të rivendosur kontrollin faktik mbi popullin dhe territorin e vendit tonë, madje duke bërë edhe ndarjen e tij.
Po ashtu, Adili kujton faktin se Rezoluta 1244 do të jetë baza e negociatave, dhe siç dihet Rezoluta 1244 e OKB-ve e ruan sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën dhe e nxit restaurimin faktik të sundimit dhe kolonizimit të saj mbi Kosovën.
Sipas Adilit, fillimi i negociatave paraqet fundin e pavarësisë dhe shtetësisë si mundësi. Serbisë i mjafton kjo, në mënyrë që pastaj negociatat të bëhen për autonominë territoriale të serbëve në Kosovë e që nënkupton legalizimin e ndarjes së Kosovës dhe krijimin e një entiteti të veçantë serb në Kosovë.
Ndaj në fund të reagimit FDBK paralajmëron: “Shqiptarët nuk do ta durojnë dhe as tolerojnë ricopëtimin e Kosovës, prandaj, këtij skenari ogurzi të "trurëve të mençur" të GNK-së për ndarjen e Kosovës në këmbim të "njohjes së statusit të Kosovës", duhet t'i kundërvihemi me të drejtën e vetëvendosjes së popullit shqiptar për t'u ribashkuar në një komb-shtet të vetëm, me emrin Shqipëri”.
a.b/NOA