English

Gjykata e Përmetit çon kombësinë në Kushtetuese

Përmet, 16 mars, NOA- Pas gjykatës së Sarandës, një tjetër gjykatë në vend, i ka drejtuar kërkesë Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e ligjit “Për gjendjen civile”, në kuadrin e problematikës së ndryshimit të kombësisë së qytetarëve.

Kështu, siç bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime pranë kësaj gjykate, ajo e ka vlerësuar këtë ligj si antikushtetues, duke kërkuar prej gjykatës së lartpërmendur që të shprehet kundër tij.

Konkretisht në Përmet, ka patur një fluks të ndryshimeve të kombësisë, ku mbi 500 shqiptarë kanë përfituar kombësinë greke.

Në të tilla kushte, gjyqtarët e këtij qyteti e kanë çuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese ligjin “Për Gjendjen civile" ku përdoret termi “kombësi”, duke kërkuar shpalljen si të papajtueshëm me nenet 19 dhe 20 të Kushtetutës së Shqipërisë të termit “kombësia” të përcaktuara në këtë ligj.

Saktësisht, në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile”, elementi “kombësi” është përcaktuar si element përbërës i gjendjes civile të një shtetasi shqiptar duke e detyruar në këtë mënyrë çdo shtetas që të deklarojë kombësinë e tij, e cila detyrimisht duhet të përfshihet si element përbërës i gjendjes civile.

n.e/NOA

KOMENTE