Tiranë, 16 mars 2011, NOA- Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të zhvillojë ditën e nesërme në orën 17:00 tek "Pallati i Kongreseve" nisjen e fushatës për Kryeqytetin.
Burime zyrtare nga kjo parti konfirmojnë për agjencinë e lajmeve NOA se, në këtë takim që do të zhvillohet nesër do të jetë i pranishëm Kryetari i LSI-së Ilir Meta i shoqëruar nga Grupi Parlamentar i LSI-së dhe nga drejtues të tjerë të kësaj partie.
Në fjalën e rastit pritet që Kryetari i LSI-së Meta, të ndalet gjerësisht në situatën politike që po kalon vendi, shpalosjen e pikave kryesore të programit elektoral të LSI-së për zgjedhjet administrative të 8 majit.
Të njëjtat burime sqarojnë se gjatë çeljes së fushatës për kryeqytetin, Meta do të ndalet gjerësisht tek problematikat që shoqërojnë sot qytetarët e Tiranës dhe alternativat që ofron LSI-ja për zgjidhen e tyre, si dhe mbi marrëveshjen e ndarjes së zonave elektorale mes mazhorancës qeverisëse.
Vetë Lëvizja Socialiste për Integrim në kryeqytet pritet të mbështesë kandidatin e aleatit të saj në zgjedhje, Partisë Demokratike, Lulëzim Bashën i cili pritet të garojë për postin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Nga ana e saj LSI mësohet se do të garojë në disa prej minibashkive të qytetit të cilat pritet të zyrtarizohen ditën e nesërme së bashku me kandidatët që do të garojnë për zgjedhjet e 8 majit në kryeqytet.
a.y/NOA