English

Meta në Lezhë: 8 maji festa e votës së lirë, vazhdimësia e projekteve të mëdha

Lezhë, 16 mars 2011, NOA- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta në

kuadër të takimeve paraelektorale ditën e sotme u ndal në Lezhë së bashku me kryetarin e kësaj partie në këtë rreth, Viktor Tusha.

Gjatë fjalës së tij para qytetarëve lezhjanë, ai tha se zgjedhjet e 8 majit, janë garancia për vazhdimësinë e projekteve te mëdha.

Më tej Meta garantoi për fitoren e koalicionit te integrimit duke shtuar se zgjedhjet e 8 majit zgjidhje për qytetaret, dhe jo për politikanët.

Ai shtoi se fushata e Lëvizjes Socialiste për Integrim është me program dhe projekte për të përmirësuar jetesën e çdo banori duke theksuar se aleanca e kësaj partie do të bëhet me qytetarët e çdo lagjeje, qyteti e fshati.

Meta tha se përfaqësimi i grave do të jetë dinjitoz në listat e këshilltarëve të LSI-së.

Në kuadër të premtimeve për qytetarët e Lezhës kreu i LSI-së deklaroi se, “Nuk do të lija jashtë vëmendjes një projekt tjetër shumë të rëndësishëm që e kemi diskutuar me Viktorin dhe që jam i bindur do të implementohet së shpejti, pasi është një prioritet edhe i qeverisë shqiptare, edhe i kryetarit të bashkisë së Lezhës, ndërtimi sa më shpejt i parkut industrial që do të krijojë të gjitha facilitetet për të nxitur investime të biznesmenëve vendas dhe të huaj në mënyrë që të shtohen mundësitë për punësime në qytetin e Lezhës”.

Ai e cilësoi bashkinë e Lezhës, si një shembull për adminìstrimin e pushtetit lokal.

“Unë jam i bindur se 8 maji do të jetë një ditë e mrekullueshme,do të jetë një festë e votës së lirë”, u shpreh Meta.

a.y/NOA

KOMENTE