English

OSBE, SHBA e BE: Dhuna ndaj romëve të mos përsëritet më

Tiranë, 16 mars NOA – Dhuna dhe dëbimi i rreth 50 familjeve rome nga banesat e tyre në periferi të Tiranës, pak ditë më parë, ka rritur shqetësimin e organizatave dhe selive diplomatike ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut në vend. Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Uollfarth, Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Aleksandër Arvizu dhe Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi kërkuan nga qeveria që të mos lejojë përsëritjen e ngjarjeve të tilla në vend.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri janë informuar se prej 20 shkurtit 2011, për disa ditë, dhjetëra familje rome janë larguar me forcë nga vendqëndrimi i tyre pranë qendrës së Tiranës nga persona të paidentifikuar, të cilët u vunë zjarrin barakave ku ata jetonin dhe i përzunë prej tyre”, thuhet në njoftimin e përbashkët të tre autoriteteve.

Nga ana tjetër drejtuesit e OSBE, SHBA dhe BE nxisin autoritetet shqiptare të hetojnë largimin me dhunë të familjeve rome dhe t'u ofrojnë ndihmë të shpërngulurve

“Në këtë frymë, ne u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e duhura për hetimin e ngjarjes shqetësuese të shkurtit, për të siguruar që veprime të tilla të mos përsëriten më. Ne i nxisim autoritetet të marrin hapat e duhura për të siguruar asistencën e nevojshme sociale, përfshirë strehimin, për ata njerëz që kanë mbetur të pastrehë”, shprehen tre ambasadorët për dëbimin e romëve

Ata shprehen se si pasojë e këtyre veprimeve, pati lëndime të rënda dhe një numër i madh njerëzish, duke përfshirë edhe fëmijë, u detyruan të zhvendoseshin nga vendbanimi.

“Ne theksojmë se Shqipëria është angazhuar të zbatojë Planin e Veprimit për Përmirësimin e Situatës së romëve dhe sintive në Zonën e OSBE-së, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave 2009 për Shtimin e Përpjekjeve të OSBE-së për Integrim të Qëndrueshëm të romëve dhe sintive. Miratimi i këtij vendimi nga Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfshirë Shqipërinë, tregon angazhimin e këtyre vendeve për të luftuar diskriminimin dhe racizmin ndaj romëve dhe sintive, edhe nëpërmjet medias”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Nga ana tjetër ata theksojnë dhe kërkesat e komisionit evropian për mbrojtjen e minoriteteve.

“Në Opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, Komisioni Evropian ka identifikuar luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të romëve si fusha parësore, të cilave u duhet kushtuar vëmendje e veçantë nga autoritetet. “Ne jemi të bindur se shumica e qytetarëve janë kundër akteve të tilla të dhunës ndaj grupeve të pakicave”, thuhet në deklaratën e tre ambasadorëve.

Gjithashtu drejtuesit e OSBE, SHBA dhe BE shprehen se mbështesin përfaqësuesit e shoqërisë civile në thirrjen për t'i dhënë fund diskriminimit dhe dhunës ndaj familjeve dhe fëmijëve romë.

a.k.NOA

KOMENTE