Tiranë, 16 mars 2011, NOA – Ndërkohë që ministri i Brendshëm Lulzim Basha deklaroi sot se në luftën kundër drogës do të ketë zero tolerancë, ka reaguar selia rozë, duke i rikujtuar ministrit se është nën akuzë për dy vepra penale, për vjedhje e vrasje. Duke iu referuar deklaratave të ministrit Basha selia rozë bëri me dije se vazhdon të gënjejë e të mashtrojë çdo ditë.
“Lulzim Basha, që në 21 Janar urdhëroi Gardën Republikane të vriste katër shqiptarë të pafajshëm, vetëm e vetëm se kërkonin një të ardhme më të mirë, vetëm e vetëm se kërkonin punësim dhe refuzonin kusarinë e Saliut, Ilirit dhe Lulit, na del sot dhe na flet për luftën ndaj krimit dhe drogës”, tha në një konferencë të posaçme për mediat anëtarja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Megi Ajtyresa.
Sipas saj për luftë ndaj krimit e drogës flet Lulzim Basha që akuzohet për vjedhje dhe vrasje.
“Flet për luftë ndaj kontrabandës njeriu që për zëvendësdrejtor të përgjithshëm të policisë ka Agron Kuliçajn, pikërisht ish-bodigardin e Saliut, që sot akuzohet për kontrabandën dhe aferën më të madhe të naftës virxhin në Shqipëri”, tha Ajtyresa.
Ajtyresa ritheksoi se shqiptarët nuk do ta tolerojnë më kurrë vjedhjen dhe korrupsionin dhe se këtë do ta bëjnë me votën e tyre kundër Saliut dhe Lulit.
Ajtyresa bëri me dije se kryeministri dhe ministri i Brendshëm janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për vrasjen e plot 32 shqiptarëve të pafajshëm.
mit/NOA