Tiranë, 16 mars 2011, NOA- Qeveria Amerikane nëpërmjet programit ICITAP i ka dhuruar Policisë së Shtetit një sasi të konsiderueshme jelekësh anti-plumb.
Në një ceremoni të mbajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u dhuruan 2036 jelekë, duke filluar nga jelekët e lehtë anti-plumb e deri tek jelekët me përforcim të rënduar për t’u përdorur në operacione të ndryshme nga Forcat Speciale.
Në këtë ceremoni Zv/Ambasadorja Amerikane, Deborah A. Jones vlerësoi bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve në fushën e zbatimit të ligjit.
Jones sqaroi se ky donacion u mundësua si rrjedhojë e një bashkëpunimi afatgjatë tashmë, ndërmjet Gardës Kombëtare të Shtetit të Nju Xhersit dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Sipas saj, këta jelekë anti-plumb do t’i shërbejnë oficerëve të policisë në mbështetje të luftës së tyre kundër krimeve të rënda, krimeve të dhunshme dhe grupeve kriminale.
Më tej ajo shprehu dëshirën se, “Shpresa ime do të ishte që asnjë nga punonjësit e policisë të mos e ndjente nevojën për ta përdorur këtë jelek anti-plumb, por realiteti është që punonjësi i policisë rrezikon jetën e tij çdo ditë për të mbrojtur qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Këta jelekë janë kontribut i yni për të reduktuar këtë risk ndaj krimit si dhe për forcimin e zbatimit të ligjit në Shqipëri”.
Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, u shpreh se, përdorimi i këtyre pajisjeve, natyrisht, që do të përmirësojë standardin e sigurisë për jetën e shëndetin e punonjësve të policisë, njëkohësisht, do të rritë efikasitetin e strukturave të policisë për realizimin e detyrave institucionale si dhe do te ndikojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit.
Burgaj theksoi se, ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që është ofruar dhe ofrohet për Policinë e Shtetit, vlerësohet si një përkrahje midis partnerësh, por edhe si një nxitje e stimul për të punuar me përkushtim për përgatitjen e një organizate policore demokratike e moderne, partnere e denjë për simotrat e saj të vendeve më të përparuara euroatlantike.
“Policia e Shtetit do të vazhdojë e vendosur rrugën e reformave për tu shndërruar në një institucion me të vërtetë demokratik dhe, njëkohësisht, në një institucion partner, të besueshëm dhe profesional për homologët tanë të vendeve euroatlantike”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se nga ky donacion kanë përfituar struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit të Departamentit të Sigurisë Publike, Njësitë e agjentëve në mbulim, Forcat speciale të RENEA-s, Forcat e ndërhyrjes së Shpejtë, Forcat e Operacioneve Speciale në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Njësitë anti-eksploziv.
Me këtë donacion qeveria Amerikane synon të kontribuojë në sigurinë e jetës së punonjësve të rendit publik, të cilët në mënyrë të vazhdueshme, janë të vënë në rrezik gjatë përballjes me krimin dhe kriminelët.
a.y/NOA