Pukë, 16 mars 2011, NOA- (Update) Gjatë takimit të zhvilluar në qytetin e Pukës me qytetarët e zonës, kryesocialisti Edi Rama i cilësoi zgjedhjet e 8 majit si rikthimin e shpresës për shqiptarët.
Në kuadër të turit “Fajin e ka Saliu”, kreu i opozitës tha se shqiptarët janë dëshmitarë të varfërisë, papunësisë dhe padrejtësisë.
Sipas tij, Partia Socialiste është e vetmja rrugë për të dalë nga varfëria, papunësia dhe nga burgu i padrejtësisë.
Më tej Rama shtoi se: “Ne jemi këtu të gjithë së bashku sot në Pukë dhe në gjithë Shqipërinë më shumë se asnjëherë. Sepse më shumë se asnjëherë Partia Socialiste e Shqipërisë është e vetmja rrugë për të dalë nga varfëria, për të dalë nga papunësia, për të dalë nga burgu i padrejtësisë, ku mbahen mbyllur sot shqiptarët me pahirin e një qeverie që ka vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë dhe që vrau për të vazhduar të vjedhë”.
Ndërkohë ditën e sotme Presidenti Bamir Topi dhe ambasadorët e SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së i kanë bërë thirrje klasës politike që të respektohen të gjitha detyrimet kushtetuese dhe ligjore në zgjedhjet vendore të 8 majit.
Gjatë këtij takimi me ambasadorët, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve jo vetëm për të përcaktuar përfaqësuesit e rinj të organeve drejtuese të pushtetit vendor, por dhe për të treguar aftësinë dhe maturinë e partive politike dhe të vetë zgjedhësve në realizimin e zgjedhjeve demokratike, korrekte, të drejta e sipas standardeve të duhura.
Vetë ambasadorët Arvizu, Sequi dhe Wollfarth ndanë të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm, sipas standardeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit.
a.y/NOA