English

Rivendosja e raporteve me SHBA, ditë historike për kombin

Nga Sali Berisha*

Ne nderojmë një datë të veçante, një ditë historike në marrëdhëniet e Shqipërisë dhe kombit shqiptar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kombin e madh amerikan, shtyllën kryesore të lirisë në botë. 20 vjet më parë, në më pak se një muaj pas përmbysjes së diktaturës komuniste në Tiranë, qeveria amerikane mori vendimin të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, me bindjen më të thellë se trendi i demokracisë nuk kishte më të ndalur këtë vend.

20 vjet më para kam pasur fatin të jem pjesëmarrës në ceremoninë e organizuar në Departamentin e Shtetit me këtë rast, të takoj zyrtarët më të lartë të Departamentit të Shtetit, të agjencive të tjera të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të takoj përfaqësuesit më shquar të diasporës shqiptare dhe kjo mbetet një nga ditët më të paharrueshme të jetës sime. Së bashku me mikun tim Gramoz Pashko përfaqësonim opozitën shqiptare. Sekretarja e Shtetit në detyrë znj. Kimmitt e nisi ditën e punës duke pritur delegacionin e opozitës shqiptare. Pra nuk ndoqi protokollin klasik, por respektoi atë çka qytetarët shqiptarë kishin vendosur dhe ishin të vendosur të bënin.

Për çdo shqiptar kjo është një ditë mirënjohje të madhe. Ne shqiptarët kemi pasur një histori shumë të vështirë dhe të komplikuar. E vërteta është që në kohërat e reja ajo ka qenë ndër më të egrat ndaj këtij kombi. Ne kemi përjetuar drama shumë të mëdha, pushtime të zgjatura, copëtime të pamerituara, diktatura ndër më të egrat. Të gjithë këta, faktorë që mund edhe të na shuanin nga faqja e dheut. Por sërish dua të theksoj se kemi qenë komb bekuar, sepse në çdo moment kritik, të vendosur përpara aletrantivës ‘to be, or not to be’, kemi pasur fatin e madh të kemi mbështetjen e madhe, përcaktuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pikërisht në këtë segment dhe në këtë moment qëndron dhe faktori më përcaktues i proamerikanizmit i lindur të shqiptarëve.

Pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane trojet e banuara nga shqiptarët u copëtuan në pesë shtete, ndonëse ata ishin kudo ku jetonin vazhdimësi gjeografike dhe shumicë etnike. Ata që projektuan këtë akt, si një nga padrejtësitë më të mëdha të Evropës, nuk u kënaqën me aq, por vendosën në një skenar tjetër të zhdukin edhe Shqipërinë. Ishte presidenti Uillson, ky burrë i madh i kombit amerikan, që hodhi poshtë këtë projekt. Shqiptarët kanë një memorie shumë të gjallë dhe të fuqishme për të. Shtetet e Bashkuara jo vetëm që ndaluan një përcoptim të mëtejshëm të Shqipërisë dhe zhdukjen e saj, por ato u angazhuan me ndihmën e madhe për konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar. Ato investuan në shkolla, të cilat edhe sot kanë reputacion të madh dhe në to u përgatit një plejadë e tërë inteligjence teknike shqiptare që i mungonte tërësisht vendit.

Në këtë vend u botuan libra të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët edhe sot shkëlqejnë si librat më të mirë për udhëtarët dhe udhëtimet. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët luftuan ndaj pushtuesve në një koalicion të gjerë botëror, por pas lufte idealet e lirisë u tradhtuan më shumë se në çdo vend tjetër. Ishte ky qëndrim i klikës në pushtet që bëri që Shtetet e Bashkuara të ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Misioni i tyre u mbyll, por Shqipëria mbeti lartë në axhendën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Harry S. Truman. Ai në një akt miqësor respekti ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve angazhoi mjete të shumta për përmbushjen e regjimit diktatorial. Shqiptarë i janë shumë mirënjohës Presidentit Truman.

Në fillim të viteve ’90 me rënien e Murit të Berlinit dhe shembjen njëra pas tjetrës të diktaturave komuniste, Shqipëria jetonte në vetëharresën dhe harresën të historisë së saj. të shumtë ishin ata që mendonin se ajo duhej lënë njëlloj si Kuba e Adriatikut. Dhe akoma më keq, kishte të tjerë që shpallnin diktatorin e asaj kohe Gorbachov, ndërkohe që ai ishte autori i krimeve monstruoze kundër njerëzimit në kombin e tij. Por ky nuk ishte mendimi i Shteteve të Bashkuara, të cilët e shndërruan radion “Zëri i Amerikës” në radion e një kushtrimi të madh thirrje, apeli dhe inkurajimi për shqiptarët, që ata të ngriheshin për liritë dhe të drejtat e tyre. Në atë periudhë “Zëri i Amerikës” ishte burimi i vetëm i inkurajimit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Menjëherë pas lëvizjeve të para ishin përfaqësuesit e qeverisë amerikane, të institucioneve amerikane që i dhanë një ndihmë të jashtëzakonshme popullit shqiptar dhe opozitës shqiptare. Presidentët amerikane dhe Sekretarët e Shtetit kanë bërë udhëtime të shumta në Europë. Në vizitat dhe në fjalimet e tyre ata janë shënuar në memorien e kombeve dhe të qytetërimit perëndimor.

Zoti ambasador (Aleksandër Arvizu),

Pritjen që shqiptarët i kanë bërë James Baker në qershor të vitit 1991 është pritja më e ngrohtë dhe më masive, në proporcion me popullatën, që një shtetar amerikan ka pasur ndonjëherë në ndonjë vend.

Ishte pritja e mirënjohjes, e shpresës dhe besimit. Sekretari i Shtetit solli një mesazh që do të bëhej profetik për shqiptarët – liria punon! Jemi të lumtur se pavarësisht nga vështirësitë ky vend ka dëshmuar madhështitë e punës së lirisë dhe vlerave të saj. Ne erdhëm në vitet ’90 si një komb, sërish, me probleme të mëdha. Kombi ende nuk kishte kënduar dot këngën e lirisë, këto fjalë po i marr hua nga Martin Luther King, sepse kombi ynë nuk ishte i lirë në tërësinë e tij. Pjesa tjetër e kombit jetonte në aparte de segregacion nga regjimi i Millosheviçit. Ishin shtetarët amerikanë, kongresmenët amerikanë ata që i dhanë mbështetjen më të madhe shqiptarëve të Kosovës. E vendosën çështjen e lirive të tyre në të gjithë axhendën ndërkombëtare. Dhe në një moment të caktuar kur diplomacia u paralizua, Presidenti Bill Clinton udhëhoqi Aleancën e Atlantikut të Veriut në nj betejë për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë. Zgjidhja përfundimtare ishte pavarësia e Kosovës. Një tjetër burrë i madh i kombit amerikan, Presidenti Bush do të sillte në Tiranë mesazhin e madh për pavarësinë e Kosovës - The time is now! Dhe ai e shndërroi këtë në realitet.

Shtetet e Bashkuara i dhanë një mbështetje të jashtëzakonshme Shqipërinë në projektin e saj të anëtarësimit në NATO. Historianët mund të numërojnë edhe shumë akte të tjera madhore. Taksapaguesit amerikanë kanë dhënë gjatë këtyre viteve qindra e qindra milionë dollarë, me të cilat kanë kontribuar në ndryshimet thelbësore në këtë vend. Është në bindjen time më të thellë se mënyra më dinjitoze dhe më e merituar për të shprehur mirënjohjen ndaj miqve tanë është ndërtimi i vlerave të lirisë dhe konsolidimi i tyre. Janë këto vlera që i kanë bërë Shtetet e Bashkuara vendin më të fuqishëm dhe më të lirë të botës. Kjo duhet të jetë frymëzim i madh për çdo shqiptar.

Unë dua t’ju garantoj se Shqipëria mbetet e vendosur të bëj gjithçka për promovimin, konsolidimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve në këtë vend. Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve. 20 vjet më parë unë, politikan jo më shumë se 3 muaj, u ula përballë Sekretarit amerikan të Shtetit në detyrë, i cili më pyeti se çfarë po bënim për këto zgjedhje. Përgjigja ime ishte një surprizë e madhe për të, i thash se ‘as vetë nuk e dimë se çfarë po bëjmë”. Pse? – më pyeti ai. Unë i thash, - sepse ne dimë për zgjedhjet vetëm atë që kemi parë në televizionin italian një herë në katër vjet, kur italianët zhvillonin zgjedhjet.

Zoti ambasador (Arvizu), më 8 maj shqiptarët shkojnë në zgjedhje me një nga infrastrukturat zgjedhore më moderne, me lista elektronike zgjedhësish, me dokumente identifikimi elektronik, me sistem numërimi ndër më të saktit, me një kuadër ligjor plotësisht demokratik dhe të hartuar me ndihmën e institucioneve më serioze ndërkombëtare, me një angazhim të OSBE-së, të qeverive mike dhe të qeverisë tuaj për të vëzhguar me seriozitetin më të madh këto zgjedhje. Pra ndryshimi është si nata me ditën.

Edhe një herë dua t’ju përshëndes ju, qeverinë tuaj, kombin e madh amerikan, si dhe të shpreh mirënjohjen më të thellë për ndjeshmërinë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që kanë dëshmuar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjithashtu, shpreh bindjen time se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA kanë një të ardhme të shkëlqyer.

Dua të përgëzoj edhe piktorin Ismail Bërdaku për këtë ide të shkëlqyer. Ky frymëzim ju erdhi ju në një moment kulmor, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhe arrite të shprehësh ndjenjat e çdo shqiptari ndaj të gjithë këtyre burrave të mëdhenj të kombit amerikan.

* Fjala e mbajtur nga kryeministri Berisha në pritjen e organizuar me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA

KOMENTE