Kapet autori i zjarrvënies së qëllimshme, pasi ishte i rrethuar nga shërbimet policore që prej 16 orëve
Shkodër, 16 Mars 2011 NOA – Plot 16 orë ka rezistuar ndaj forcave policore një person i cili me Kallashnikov i vuri zjarrin një dyqani dhe më pas bëri rezistencë ndaj policisë që tentoi ta vendoste në pranga.
Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se pak më shumë se një orë më parë, ora 17.00, forcat e Drejtorisë së Policisë Qarku Shkodër, si rezultat të një operacioni të mirëorganizuar, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të 40 vjeçarit Jetmir Lakja (Kraja).
I arrestuari, banues në fshatin Oblikë, Komuna Ana Malit, rrethi Shkodër është shpallur në kërkim policor po sot datë 16.03.2011, pasi rreth orës 01:15, në fshatin Oblikë, Komuna Ana Malit, rrethi Shkodër, nën përdorimin e armës së zjarrit automatik, pas një konflikti për motive të dobëta, ka djegur me zjarr një dyqan me artikuj të ndryshëm në pronësi të shtetasit Xh. P. 46 vjeç, banues në Oblikë Shkodër.
Nga policia, pak minuta pas denoncimit, u organizua puna për kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, Jetmir Lakja (Kraja), i cili i favorizuar nga terreni i pyllëzuar dhe errësira, i është shmangur shërbimeve tona policore.
Nga ana e forcave tona policore është bërë i mundur rrethimi i zonës. Dhe, në sajë të një mobilizimi maksimal, pas rreth 16 orësh rrethimi, megjithë kundërshtimin dhe kundërpërgjigjet e autorit me armë zjarri ndaj shërbimeve policore, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i tij së bashku me armën e zjarrit tip automatik
Policia tha se po kryen të gjitha veprimet e duhura proceduriale dhe materialet në ngarkim të të arrestuarit do i kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër për veprën penale të “Kanosje”, “Dëmtim prone me zjarr”, “Armëmbajtje pa leje”.
r.d/NOA