Tiranë, 16 mars 2011 NOA - Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi sot heqjen e licencës për 4 shoqëri të tregtimit të karburanteve dhe pezullimin e veprimtarisë me 30 ditë për 7 shoqëri të tjera, pasi aktiviteti ekonomik i tyre nuk zhvillohej në përputhje me ligjin në fuqi.
Ky vendim i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka ardhur pas inspektimeve më të fundit që janë bërë nga Inspektorati Qendror Teknik dhe pas urdhrit të Ministrit të METE, z. Nasip Naço, për verifikimin e shqetësimeve që kishin ardhur në adresë të METE për tregtimin e naftës bruto jashtë destinacionit ligjor dhe teknik të përdorimit të saj.
Inspektorati Qendror Teknik ka realizuar 430 inspektime, prej të cilave 8 janë shoqëruar me akte ndalimi për shkelje flagrante të kushteve teknike të sigurisë. Në të gjitha këto inspektime janë plotësuar akte kontrolli dhe akte inspektimi, duke përcaktuar detyra me afate për vendosjen e instalimeve sipas kërkesave teknike të sigurisë dhe njëkohësisht duke paralajmëruar subjektet se për mos plotësimin e detyrave do të vendosen gjoba sipas kërkesave ligjore.
IQT ka ushtruar kontrolle në disa nga shoqëritë e tregtimit me shumicë të naftës dhe nënprodukteve të saj dhe pas këtyre kontrolleve kanë ardhur propozimet përkatëse në drejtim të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila vendosi sot për heqjen e licencës për 4 shoqëri dhe për pezullimin e veprimtarisë për 7 shoqëri të tregtimit me shumicë.
Vetëm pak javë më parë, pas disa shqetësimeve që kishin ardhur pranë METE në lidhje me tregtimin e naftës bruto jashtë destinacionit ligjor dhe teknik për përdorimin e saj, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço urdhëroi ngritjen e menjëhershme të grupit të punës, për verifikimin e të gjitha shoqërive të tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të saj. Z Naço i kërkoi Kryeinspektorit të IQT zbatimin me rigorozitet të ligjit nr. 8450, “Për përpunimin transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, dhe në rast të konstatimit të shkeljeve zbatimin me rigorozitet të të gjitha sanksioneve që parashikon ligji, nga vendosje gjobe deri në heqjen e lejes së tregtimit apo të autorizimit përkatës për ushtrimin e veprimtarisë. Po kështu, Ministri Naço kërkoi edhe nga shoqëritë që operojnë në fushën e prodhimit të naftës bruto mbi bazën e marrëveshjeve hidrokarbure, të zbatojnë korrektësisht këto marrëveshje për të mos lejuar në asnjë rast tregtimin e prodhimit të tyre për t’u përdoruar si lëndë djegëse jashtë destinacionit ligjor dhe teknik. Për kontrollin e kësaj veprimtarie u urdhërua që përveç IQT të angazhohen direkt edhe strukturat e AKBN brenda detyrave dhe kompetencave të tyre.
Konkretisht:
- U është hequr licenca:
- Shoqërisë "Erkoci-Ad-El" sh.a.
- Shoqërisë "Dhima" sh.a
- Shoqërisë "Omegaz Energy" sh.a
- Shoqërisë "Edi Kompani" sh.a
U është pezulluar licenca (leja e tregtimit):
- Shoqërisë "Tiramol" sh.a
- Shoqërisë "Albania Airlines & Jet Fuel Supply" sh.a
- Shoqërisë "Beusal" sh.
-Shoqërisë "Pilinci Enterprise Co"
-Shoqërisë "Orient" sh.a
-Shoqërisë "Jemishta" sh.a
- Shoqërisë "Auto Lubrifikant" sh.a