English

Skandali, Rama: Banda që lejoi kontrabandën e naftës është në qeveri

Pukë, 16 mars 2011, NOA – “Skandali i naftës dhe veprimtaria kriminale e kësaj bande përbëjnë një kulm të padrejtësisë, deklaroi sot nga Puka shefi i opozitës Edi Rama, duke akuzuar se ata që i hapën rrugën kontrabandës së naftës janë në tryezën e qeverisë. “Dhe çka është edhe më rrënqethëse është se sot prapa hekurave është banda që e realizonte kontrabandën, ndërkohë që në tryezën e qeverisë janë ata të cilët i hapin rrugën kontrabandës dhe të cilët lejonin për përfitimet e tyre të drejtpërdrejta dhe marramendëse në para që qytetarëve të këtij vendi t’u shitej për naftë një produkt, i cili shkatërron makinën, shkatërron ajrin, shkatërron mushkëritë e të gjithë qytetarëve që e thithin atë ajër”, reagoi kryesocialisti Rama nga qyteti i Pukës në krye të turit të takimeve me bazën nën parrullën “Fajin e ka Saliu”.

Rama akuzoi qeverinë Berisha si regjimin e kusarisë dhe matrapazllëkut.

“Ky është regjimi i krijuar për të vjedhur, i cili vodhi votat që të vazhdojë të vjedhë Shqipërinë dhe në 21 janar vrau për të vazhduar të vjedhë përmes kontrabandës, përmes korrupsionit, përmes grabitjes së pasurive të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve”, tha Rama.

Ai theksoi se vetëm me fuqinë e bashkimit të opozitës me popullin do të mund të ndyshohet ky regjim i korrupsionit dhe vjedhjes së popullit.

Ndërkohë 13 zyrtarë kanë përfunduar në pranga pak ditë më parë për skandalin e naftës virgin, përkatësisht biznesmenë, doganierë e tatimorë, ndërsa i 14-i është shpallur në kërkim.

Sot, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u hoqi liçencën katër shoqërive të tregtimit të karburanteve si dhe pezulloi për 30 ditë shtatë shoqëri të tjera që kishin shkelur ligjin në zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik.

mit/NOA

KOMENTE