Prishtinë, 16 mars 2011, NOA- Qeveria e Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi ka zhvilluar mbledhjen e saj të radhës.
Gjatë saj është miratuar Plani vjetor i Punës së Qeverisë për vitin 2011; Strategjia Legjislative për vitin 2011; Plani i Veprimit për Partneritetit Evropian 2011; si dhe Rregullorja për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive. Në fillim të mbledhjes kryeministri Thaçi ka theksuar se Projektbuxheti i vitit 2011 është proceduar në Kuvendin e Kosovës.
Buxheti është i të gjithëve, ka thënë kryeministri dhe ka vlerësuar se ky është një buxhet i cili do të hapë perspektivë për zhvillimin ekonomik, për themelimin e reformave demokratike dhe perspektivës evropiane. Kryeministri Thaçi ka thënë se Qeveria do të vazhdojë të jetë kontribuese në debatin për miratimin e projektbuxhetit për vitin 2011 në Kuvendin e Kosovës kur do të debatohet më 25 mars. Thaçi theksoi se, “Unë edhe njëherë dëshiroj të falënderoj misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për diskutimet shumë korrekte, produktive dhe të një progresi real mes Qeverisë së Kosovës dhe FMN-së. Këto diskutime nuk kanë përfunduar ende, do të vazhdojnë së diskutuari edhe muajin e ardhshëm. Kemi përafrim të shumicës së çështjeve që i kemi diskutuar dhe kjo është një sukses i punës së përbashkët dhe korrektësisë në raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe FMN-së”. Kryeministri i Kosovës deklaroi se, Buxheti do të votohet në Kuvend me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e arsimit, shëndetësisë, policisë, shërbyesve civilë, zjarrfikësve, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, dhe respektimin e marrëveshjeve për minatorët.
Më tej Kryeministri Thaçi tha se, “Dikush edhe mund të deklarojë se rritja prej 50 për qind deri në 30 për qind e pagave është e lartë. Por, unë dua të theksoj shumë qartë për të gjithë: Kosova është shtet në tranzicion, Kosova është shtet i ri, ende nuk e ka arritur stadin e shtetit të zhvilluar dhe modern. Punëtorët në Kosovë deri sot kanë jetuar me ndihma sociale, jo me rrogë. Kur ta arrijmë stadin e shteteve të zhvilluara moderne mund t’i kalkulojmë rritjet në 2 për qind. Nuk mund të tolerojmë edhe më tutje që punëtorët të trajtohen më së keqi në Evropë, të jenë më të nëpërkëmburit në Evropë, më të fyerit në Evropë, me standardin më të ulët në Evropë. Prandaj vendimi është i drejtë do të implementohet, dhe kam besim të plotë që do të aprovohet edhe nga partitë opozitare, ka th në kryeministri Hashim Thaçi dhe ka shtuar se “E ritheksoj edhe njëherë për të gjitha çështjet ka përafrim me FMN”. Në vijim, Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se dialogu mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë ka filluar mbarë dhe jemi të bindur se me mbështetje të plotë të SHBA dhe BE dhe me qëndrimet korrekte e konstruktive, ky proces do të përmbyllet me njohjet reciproke të të dyja vendeve dhe me anëtarësimin e tyre në NATO dhe BE. a.y/NOA