Tiranë, 16 Mars 2011 NOA - Jashtëqitja e qenit ka futur në sherr dy fqinjë të cilët kanë përfunduar më pas në polici. “Qeni yt bo m... pranë derës së shtëpisë sime. Nuk mund të durohet një gjendje e tillë”. Kështu i është drejtuar i nevrikosur, Gëzim Bogdani fqinjit të tij Kujtim Boriçi.
Por ankesat duket se kanë rënë në vesh të shurdhër pasi qeni i fqinjit vazhdonte të ndynte te shkallët dhe pas derës së Bogdanit.
Ditën e djeshme ky i fundit ka konstatuar sërish pisllëkun e qenit të fqinjit në shkallë por kësaj herë Bogdani nuk ka kryer ankesë por ka nisur një debat të ashpër me të zotin e qenit.
Burime policore pohuan për agjencinë NOA se ngjarja ndodhi në pallatin “Moskat” në rrugën “Sulejman Delvina” në Tiranë kur Gëzim Bogdani ka goditur me shpulla e grushte fqinjin e tij Kujtim Boriçi.
Policia e sinjalizuar për ngjarjen mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe shoqëroi në ambientet e komisariatit nr.2, Bogdanin i cili pasi u mor në pyetje u la në gjendje të lirë. Burime nga policia thanë se ndaj Bogdanit ka nisur procedimi penal për “plagosje të lehtë me dashje”.
e.t/NOA