Tiranë, 16 mars 2011, NOA – Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe Ambasadorët e SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së i kanë bërë thirrje klasës politike që të respektohen të gjitha detyrimet kushtetuese dhe ligjore në zgjedhjet vendore të 8 majit. Presidenca zbardh detajet e bisedës vetëm pak minuta pas mbylljes së takimit mes Presidentit Topi, Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu, Kreut të Delegacionit të Bashkimit Evropian Etore Sequi si dhe Kreut të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth.
Zyra e Presidentit bën me dije se në krye të takimit Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të organizmave ndërkombëtare dhe të vendeve mike e aleate në forcimin e shtetit të së drejtës, demokratizimin e mëtejshëm të vendit, konsolidimit të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe më aktualisht, në mbarëvajtjen e procesit përgatitor të zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Bëhet me dije se gjatë bisedës, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve jo vetëm për të përcaktuar përfaqësuesit e rinj të organeve drejtuese të pushtetit vendor, por dhe për të treguar aftësinë dhe maturinë e partive politike dhe të vetë zgjedhësve në realizimin e zgjedhjeve demokratike, korrekte, të drejta e sipas standardeve të duhura.
Kreu i Shtetit shqiptar përsëriti qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese, më 8 maj.
Vetë ambasadorët Arvizu, Sequi dhe Wollfarth shprehën kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi, të cilin e konsideruan si tepër të rëndësishëm.
Sipas njoftimit zyrtar mësohet se ata ndanë të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm, sipas standardeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Kreu i shtetit shqiptar së bashku me ambasadorët e vendeve mike dhe aleate, nënvizuan “domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike”.
Bashkëbiseduesit evidentuan se “respekti për institucionet e shtetit, shprehja e maturisë dhe e ekuilibrit është i një rëndësie jetike për të sotmen dhe të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë”.
mit/NOA