Tiranë, 16 mars 2011, NOA – Kur jemi më pak se një muaj nga nisja e fushatës zgjedhore për zgjedhjet vendore të 8 majit dhe kur dialogu politik mes mazhorancës dhe opozitës ende nuk ka nisur, Presidenti i Republikës Bamir Topi ka thirrur këtë pasdite në një takim Ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, ambasadorin e BE-së Ettore Sequi dhe kreun e prezencës së OSBE-së Eugen Wollfarth.
Lajtmotiv i takimit, i cili u lajmërua për në orën 16.00, do të jenë zgjedhjet e 8 majit dhe diskutimi për situatën parazgjedhore.
I pari që mbërriti në selinë e presidencës ishte ambasadori amerikan Arvizu.
Gjatë dy muajve të fundit ambasadorët e vendeve partnere të Shqipërisë dhe Presidenti Topi e kanë intensifikuar apelin e tyre ndaj klasës politike që të përgatiten për zgjedhjet vendore, me synimin që ato të zhvillohen të lira e në standardet më të mira demokratike.
Pritet që pikërisht ky të jetë edhe apeli pas takimit të tre ambasadorëve me Kreun e Shtetit.
mit/NOA