Tiranë, 17 mars 2011, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste Ilir Beqja nga foltorja e Kuvendit fajësoi rishtas kryeministrin Sali Berisha për rritjen e nivelit të varfërisë në vend. Deputeti socialist duke iu referuar rritjes së pagave dhe pensioneve, theksoi se këto rritje janë qesharake krahasuar me harxhimet që bëjnë shqiptarët për të paguar faturat e larta të dritave dhe të ujit.
“Shqiptarët duan punë nuk duan lëmoshë”, apeloi deputeti Beqja gjatë diskutimeve për rendin e ditës në Kuvendin e Shqipërisë duke bërë me dije se varfëria është ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare.
Deputeti socialist akuzoi qeverinë se për shkak të korrupsionit të saj e ka zhytur vendin në një varfëri të tejskajshme.
Gjithashtu Beqja risolli në vëmendje se edhe katër demonstruesit që dolën për të kundërshtuar papunësinë dhe varfërinë e tyre u vranë nga kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
“Saliu bashkë me Lulin i vrau katër dëshmorët në 21 janar”, tha deputeti socialist.
“Për të gjitha fajin e ka Saliu”, tha Beqja duke nënvizuar se opozita nuk do të ndalet në betejën e saj për të rimëkëmbur vendin.
“Ne do ta fitojmë këtë betejë për shqiptarët”, tha Beqja.
Por pas fjalës së tij reagoi ministri i Punëve Sociale Spiro Ksera, i cili i kujtoi socialistit se “Ju keni nisur të besoni vërtet se Fajin e ka Saliu”.
Duke ironizuar opozitën, Ksera evidentoi se ndoshta e ka fajin Saliu edhe për rritjen e rrogave dhe për investimet më të mëdha në Shqipëri.
mit/NOA