English

Biletat, tani mund të blihen online për ndeshjet e kuqezinjve

Tiranë, 17 Mars 2011 - Tifozët shqiptarë do t’i kenë tashmë të gjitha mundësitë për të blerë në internet, pra online, biletat për ndeshjet e ekipit përfaqësues të futbollit.

Kjo është bërë e mundur për shkak të bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe kompanisë së specializuar “Tissolution”, bashkëpunim që është sendërtuar në faqen e internetit, “blinibileta.com”.

Për tifozët, do të jetë ndeshja ndaj Bjellorusisë në Tiranë, e para ku do të nisin të praktikohen me mënyrën e re të sigurimit të biletave.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së thotë se kishte ardhur koha për ndryshim, ndërsa përfaqësuesi i kompanisë që ofron shërbimin, Bashkim Shala, flet teknikisht mbi risinë.

Rruga që të çon deri tek bileta (apo biletat e dëshiruara) nuk është e vështirë, ndërsa tavani i lejuar është deri në 10 bileta për të shmangur spekulimet në tregun e zi.

Pasi hyn në faqe, duhet të regjistrohesh për të qenë përdorues me emër dhe fjalëkalim, duke plotësuar një formular të caktuar. Më pas zgjedh biletën dhe pagesa bëhet me kartë krediti dhe debiti dhe bileta do të merret në një nga 4 pikat që parashikohen të jenë në Tiranë.

Paratë transferohen nga llogaria vetëm në momentin kur bëhet tërheqja fizike e biletës nga blerësi.

Përveç Tiranës, kompania ka parashikuar të hapë edhe një pikë shitjeje në Prishtinë për tifozët kuqezinj nga Kosova.

Kështu, pjesëmarrja ne stadium, per te perkrahur skuadrën tuaj te zemres, tani nuk eshte me problem pasi kjo faqe ju ben te mundur blerjen e biletave nga shtëpia juaj, vetëm me nje click.

e.t/NOA

KOMENTE