English

KE: Hetoni tragjedinë e Gërdecit, gjyqësori të dënojë përgjegjësit

Bruksel, 17 mars 2011, NOA – Kur në 15 mars u mbushën plot tre vjet nga shpërthimi tragjik në fshatin Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe 300 të tjerë u plagosën, Komisioni Europian i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të hetojnë dhe zbardhin pa humbur më kohë ngjarjen tragjike dhe të nxjerrin para drejtësisë përgjegjësit. Këtë apel e lëshoi sot zëdhënësja e KE-së Natasha Butler, e cila ngriti shqetësimin se procesi gjyqësor i Gërdecit po vazhdon me shumë pengesa.

“Ne dimë që procesi i Gërdecit po vazhdon”, nënvizoi zonja Butler, duke bërë me dije se “KE ka kuptuar se procesi gjyqësor nuk ka vijuar pa pengesa siç pritej”.

Batler theksoi se në këtë proces është shumë e rëndësishme që të gjitha institucionet, veçanërisht gjyqësori të luajnë rolin e tyre dhe të kontribuojnë sa më shpejtë të jetë e mundur për hetimin dhe për procesin ligjor duke përmbushur kompetencat e tyre.

Por, Komisioni Europian ka dënuar edhe shpërnguljen me forcë nga banesat e tyre në periferi të Tiranës të 300 anëtarëve të familjeve rome.

Zëdhënësja e KE-së kërkoi drejtësi për romët, ndërsa i bëri apel autoriteteve dhe institucioneve të vendit të respektojnë e garantojnë të drejtat e bashkësisë rome në Shqipëri.

Batler duke iu referuar standardeve të BE-së për respektimin e të drejtave të njeriut nënvizoi se “Ne presim që autoritetet shqiptare të kryejnë një hetim të plotë për këtë incident, në respekt të zbatimit të ligjit, duke çuar në ndjekje penale, e dënim më pas të personave që do të gjykohen fajtorë”.

Apeli i KE-së që drejtësia të kryejë funksionet e saj vjen ndërkohë kur asnjë nga të pandehurit e çështjes Gërdeci nuk është pas hekurave të burgut, ndërsa viktimat e tragjedisë kalben për shkak të punës në kushte deri çnjerëzore në ish-fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, si e vetmja rrugë për viktimat për të ngrënë bukën e përditshme në kushtet e një varfërie të tejskajshme.

Butler ka risjellë në vëmendje se kursi i drejtësisë duhet të ndiqet në mënyrë konseguente duke u bazuar mbi kriteret e Kopenhagenit.

mit/NOA

KOMENTE