Prishtinë, 17 mars 2011, NOA- Fatmir Limaj ish-ministri i Transporteve në Kosovë dhe deputeti i Partisë Demokratike pas akuzave të ngritura nga EULEX për krime lufte ka vendosur të lërë imunitetin.
Këtë fakt Limaj e bëri vetë të ditur për mediat gjatë një konference të dhënë për to, ku ka sqaruar se ky veprim vjen në mënyrë që të mos pengohen hetimet e filluara nga ana e EULEX.
Ai shprehu më tej gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë në mënyrë që të mos bëhen dallime gjatë hetimeve.
Limaj, shtoi më tej se ditën e djeshme ka zhvilluar takime me zyrtarë të EULEX-it, por ka theksuar se nuk ekziston asnjë dokument zyrtar që të dëshmoj se ndaj tij është ngritur aktpadi.
Ish-ministri i Transporteve tha se beson në pastërtinë e luftës që ka bërë dhe luftës së UÇK-së, ndaj është i gatshëm të ballafaqohet në çdo moment me drejtësinë.
Ndërkaq policia e EULEX ditën e djeshme ka arrestuar edhe disa ish-luftëtarë të UÇK-së, si të dyshuar për krime lufte.
Po dje Limaj u mor në pyetje nga zyrtarë të misionit evropian pasi gjatë luftës, ai ka drejtuar Brigadën “Kumanova”, ndërsa akuzat e ngritura ndaj tij flitet se janë zhvilluar në fshatin Kleçkë.
Ndërsa lidhur me imunitetin e tij fjalën e fundit e ka Kuvendi.
a.y/NOA