Tiranë, 17 mars 2011, NOA – Këshilli i Lartë i Drejtësisë reagoi sot ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit që liroi nga burgu trafikantin e shumëkërkuar ndërkombëtar Abdyl Selam Turgut, duke i dhënë atij arrest shtëpie. Më saktësisht KLD ka nisur të hetojë tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit që morën vendimin për lirimin e trafikantit turk dhe rrethanat që çuan në këtë vendim me arrest shtëpie, duke ditur që autoritetet gjermane kishin kërkuar zgjatjen e masës së sigurisë me burg për turkun Turgut.
Shtetasi turk Abdyl Selam Turgut u arrestua në aeroportin e ndërkombëtar të Rinasit në 18 shkurt të këtij viti, një arrestim i finalizuar për llogari të shtetit gjerman.
44-vjeçari Turgut akuzohet nga autoritetet gjermane për trafikimin e 1 ton droge, ndërkohë që kërkohet edhe nga Rumania, Austria, Holanda e Italia.
Pas lirimit të shtetasit turk, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar nisjen e kontrolleve në Gjykatën e Apelit.
Më herët Gjykata e Tiranës kishte vendosur ndaj Abdyl Turgut masën e sigurisë me 40 ditë burg.
Autoritetet e drejtësisë gjermane kërkuan zgjatjen e afateve të paraburgimit me qëllim ekstradimin e Turgut.
mit/NOA