Tiranë, 17 mars 2011, NOA- (Update) Lëvizja Socialiste për Integrim çeli sot fushatën elektorale në Kryeqytet për zgjedhjet e përgjithshme administrative të 8 majit.
Takimi i cili u hap Kryetari i LSI-së së Tiranës, Shezai Rrokaj dhe nga kandidati i LSI-së për Pogradecin, Luan Topçiu, mori mbështetjen e simpatizantëve të LSI-së dhe gjatë ceremonisë u shpallën edhe objektivat e kësaj partie për zgjedhjet e 8 majit.
Pasi kritikoi kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama, kreu i LSI-së prezantoi edhe ambiciet për kryeqytetin.
“Jemi të bindur se aleanca për qytetarin do të fitojë më 8 maj me të paktën 40 mijë vota diferencë. Ashtu sikurse kandidatët tanë do të jenë fitues kudo, që nga Viktor Tusha në Lezhë e deri te Genc Sinoimeri në Gjirokastër. Që nga Durim Hushi në Elbasan dhe Luan Topçiu në Pogradec. Do të jenë fitues kudo në Tiranë, por në mënyrë të veçantë, hijeshia më e madhe e Tiranës që është Tirana e Re, kërkon një kryetare të re dhe ne do t’ia japim me votën tuaj, këtë kryetare të re, që është kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Erisa Xhixho”, u shpreh Meta gjatë fjalës së tij.
Më tej ai shtoi se nëse katër vjet më parë u fituan 20 mijë vota, në kryeqytet në 8 maj LSI do të fitojë mbi 40 mijë vota.
Kreu i kësaj partie shtoi më tej se në 9 maj LSI, simpatizantët dhe anëtarët e saj do të festojnë një ngjarje shumë të rëndësishme për qytetin, fitoren mbi tiraninë.
Do të jenë katër emra kandidatësh të cilët do të garojnë në katër nga minibashkitë e kryeqytetit, të cilat konfirmohen nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe ata janë:
1- Njësia Bashkiake : Nr.2 Elez Gjoza
2- Njësia Bashkiake : Nr.3 Ilir Kokona
3- Njësia Bashkiake : Nr.5 Erisa Xhixho
4- Njësia Bashkiake : Nr.6 Luzhiana Abazi
Pikërisht në këtë mënyrë zbardhen edhe minibashkitë të cilët do ti shkojnë aleatit të Partisë Demokratike duke saktësuar edhe minibashkitë të cilat do ti mbeten vetë asaj.
Dy kandidaturat e LSI, Ilir Kokona dhe Luzhiana Abazi janë aktualisht në detyrë dhe drejtojnë dy prej minibashkive të kryeqytetit.
a.y/NOA