Nju Jork, 17 mars, NOA - Mbështetësit e zonës së ndalim-fluturimit në Libi kanë bërë thirrje që sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të votohet për rezolutën, e cila do t’i parandaloj forcat e Muamer Gadafit, që të ndërmarrin sulme ajrore kundër kryengritësve.
Lidhur me këtë çështje, ambasadorja amerikane në OKB, Sjuzën Rajs, deklaroi:
“Ne po diskutojmë shumë seriozisht dhe për përpjekje udhëheqëse në Këshill, për një varg aksionesh, që ne besojmë se mund të jenë efektive, në mbrojtjen e civilëve. Këtu përfshihet diskutimi për zonën e ndalim-fluturimit. Por, pikëpamje e Shteteve të Bashkuara është se ne na duhet të jemi të përgatitur të planifikojmë hapa, që përfshijnë, dhe me gjasë, shkojnë edhe përtej zonës së ndalim-fluturimit”, tha Sjuzën Rajs.
Britania, Franca dhe Liga Arabe kanë bërë thirrje për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që do të imponoj zonë të ndalim-fluturimit.
Shtetet e Bashkuara më parë kishin reaguar me kujdes ndaj këtij propozimi. Rusia dhe Kina, që kanë të drejtë të vetos, janë shprehur të rezervuara lidhur me çfarëdo intervenimi ushtarak.
Njëherësh, forcat e Muamer Gadafit në Libi, e kanë intensifikuar fushatën e tyre për t’i kthyer arritjet e kryengritësve, të cilët synojnë përfundimin e sundimit të tij 41 vjeçar.
Gadafi ka thënë se forcat e tij janë të gatshme t’i detyrojnë kryengritësit që të tërhiqen nga Bengazi, që ishte bërë bazë e tyre në lindje.
Seif al-Islam, djali i Muamer Gadafit, tha se “çdo gjë do të bëhet brenda 48 orëve”.
NOA/RFE