Tiranë, 17 mars, NOA - Shefi i Departamentit të sigurisë pranë Zyrës së prezencës së OSBE, Jack Bell, ka kërkuar nga forcat e rendit që gjatë zgjedhje vendore të zbatojnë ligjin dhe të mos lejojnë që politika të ndërhyjë në detyrën e tyre.
Deklarata e përfaqësuesit të OSBE-së u bë sot gjatë trajnimit të efektivave të parë të policisë që do të merren me sigurinë e procesit zgjedhor.
“Probleme gjatë procesit zgjedhor mund të ketë, por policia e shtetit nuk duhet të lejojë që politikanët të ndërhyjnë në punën e policisë për të prishur raportet që ndërkombëtarët kanë dhënë deri tani. Do të ketë shumë vëzhgues për zgjedhjet, të cilët nuk do të jenë për të vëzhguar punën e policisë, por për procesin zgjedhor. Duke ju uruar suksese, shpresoj që ky proces zgjedhor të vazhdojë pa probleme dhe besoj se Policia e Shtetit do përmbushë me sukses te gjitha detyrimet ashtu si dhe në proceset e mëparshme zgjedhore”, tha Bella.
Shefi i Departamentit të sigurisë pranë Zyrës së prezencës së OSBE ka theksuar se policia ka qenë mjaft e kritikuar gjatë zgjedhjeve të kaluara, ndërsa në dy proceset e fundit ka pasur rezultate pozitive.
Në këtë linjë ai ka kërkuar që të jenë dhe zgjedhjet e 8 majit, duke shënuar një standard më të lartë të policisë.
“Raportet e ODIHR-it kanë qenë kritike për pjesën politike dhe kurrë për punën e Policisë së Shtetit. Raportet e ODIHR-it lidhur me punën e Policisë së Shtetit gjatë proceseve zgjedhore kanë qenë në ngritje, në veçanti raportet e procesit zgjedhor gjatë vitit 2007 dhe 2009, dhe kanë vazhduar me pozitivitet. Jemi të sigurt se do të kemi të njëjtat raporte edhe në zgjedhjet e ardhshme të majit të vitit 2011”, tha Bell.
a.k/NOA .