Tiranë, 17 mars, NOA – Presidenti i vendit Bamir Topi ka reaguar sot në mënyrë zyrtare në lidhje me debatin për regjistrimin e popullsisë. Gjatë konferencës për mediat me presidentin maqedonas, Topi u shpreh se institucionet e shtetit shqiptar nuk mund të lejojnë deformimin e vullnetit të qytetarëve, sipas dëshirës së qarqeve ultra nacionaliste, të cilat sipas Topit mund të vijnë nga vende të ndryshme.
“Populli shqiptar ka koshiencë të plotë për këtë proces, do të inkurajomë që regjistrimi të bëhet në bazën e plotë të lirisë së zgjedhjes dhe standardeve ligjore, por nuk do të lejojmë që asnjë rrymë ultra nacionaliste, nga do që ato të vijnë, të deformojë ligjin dhe tendencën natyrore në Shqipëri. Shqipëria është e projektuar në mënyrë shumë të qartë”, tha Presidenti i vendit.
Ai tha se ky proces do të bëhet pa presione ekonomike. “Regjistrimi është i domosdoshëm, duhet të jetë në përputhje të plotë më të drejtën bazale të njeriut për t’u shprehur i lirë dhe për të mos qenë në presion, qoftë për shkak të natyrave politike apo të interesave financiare, ekonomike dhe çdo qëllimi tjetër”, tha Topi.
I pyetur mbi faktin se përse minoriteti maqedonas në vend, nuk është përcaktuar si i tillë në formularin e regjistrimit të popullsisë, Topi u shpreh se ky proces do të bëhet në kohën e duhur sipas ligjeve të vendit dhe standardeve ndërkombëtare.
Ai shtoi se nuk ka asnjë krah politik në vend që është kundër regjistrimit. “Nuk ka asnjë korrent politik në Shqipëri që të jetë kundër kësaj linje. Regjistrimi është një debat që realizohet pothuaj në gjithë vendet e Ballkanit. Institucionet e Shqipërisë janë shprehur për regjistrimin e popullsisë, për këtë ka një kuadër ligjor, i cili është realizuar sipas standardeve të Bashkimit Europian, pasi një nga kërkesat që ka Shqipëria është dhe plotësimi i kushteve për statusin e vendit kandidat”, tha Topi.
Duke ju kthyer debateve në vend duke theksuar se po ndjek me vëmendje zhvillimet.
“Ndjeshmëria e madhe publike dhe qytetare, të cilën edhe unë si president e ndjek me shumë vëmendje është sepse nga individë, nga apendikse të qarqeve ultranacionaliste, pavarësisht nga cili vend apo shtet janë, tentohet që të hidhen parrulla, të bëhet një politikë presioni dhe dezinforamacioni lidhur me një çështje që duhet të jetë natyrore”, tha Topi.
a.k/NOA