English

Vodhi 50 varëse floriri në argjendari, kapet autori

Gjirokastër, 17 mars, NOA – Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë mundur që të ndalojnë autorin e vjedhjes së një dyqani që tregtonte flori, si edhe të sekuestrojnë në cilësinë e provës materiale një sasi të mallit të vjedhur, pasi pjesa tjetër ishte shitur prej tij.

Siç ato konfirmojnë për agjencinë e Lajmeve NOA, i ndaluari është Altin Mici, 30 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Shkodrës.

Kapja dhe ndalimi i tij u bë për arsye se në datën 26 shkurt, në lagjen “18 Shtatori” të qytetit Gjirokastër, në një dyqan artizan-argjendari, ai ka vjedhur rreth 50 varëse floriri. Pasi është futur në dyqan si klient, i paarmatosur dhe i pamaskuar, ai i ka kërkuar të zotit të dyqanit të shikonte disa varëse pasi do blinte njërën prej tyre, ndërsa ky i ka treguar një xhepore ku mbante rreth 50 të tilla.

Mici, pasi ka parë varëset, e ka marrë xheporen me gjithë varëset dhe është larguar me vrap e disa metra më tutje, ka hipur në një motoçikletë të cilën e kishte lënë të ndezur dhe nga mbrapa kishte vendosur një kosh rrobash, ku dhe ka hedhur sendet e vjedhura.

Nga veprimet hetimore u bë e mundur që pas disa ditësh të gjendej motoçikleta e braktisur në një kodër në qytetin e Gjirokastrës si dhe identifikimi i autorit.

Rezultoi se Altin Mici ne bashkëpunim me një shtetas tjetër i cili është shpallur në kërkim, janë autorët e vjedhjes së dyqanit të argjendarisë.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi e mallit të vjedhur, pasi pjesën tjetër autori e kishte shitur në një argjendari në Shkodër .

Materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “Vjedhjes kryer në bashkëpunim”, vepër kjo e parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE